Ismaili: Arsimi online, përvojë e re në RMV. Nxënësit notohen për punën gjatë tërë vitit
Në rrethana kur shkollat janë të mbyllura për shkak të pandemisë me virusin Korona...

Në rrethana kur shkollat janë të mbyllura për shkak të pandemisë me virusin Korona, Ministria e Arsimit u ka kërkuar shkollave dhe universiteteve aplikimin e mësimit online. Po ashtu Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Servisin Publik po realizojnë edhe emisionin “TV Klasa”.
Mësimi në distancë është një përvojë e re në vend, thotë njëri nga arsimtarët në “TV Klasa”, Satki Ismaili, i cili sqaron se për realizimin e mësimit online po aplikohen programe, platforma dhe aplikacione të ndryshme.
“Nxënësit mund të them se kanë aftësi digjitale mjaft të mira, ata duhet të udhëzohen mirë, ne këtë mundohemi ta bëjmë dhe dita-ditës këtë po e bëjmë në mënyrë më të mirë. Po ju them nëse vërejmë mangësi ku i kemi gjatë zhvillimit të mësimit në distancë dhe tani po përdorim aplikacione të ndryshme, platforma të cilat mundësojnë kyçje të numrit më të madh të nxënësve, programe të cilat ua ofrojnë nxënësve mundësinë që atë qëllim që duhet ta realizojnë, qëllimi mësimor të realizohet në mënyrë më të lehtë për ata.”,- deklaroi mësimdhënësi, Satki Ismaili.
Sa i përket çështjes së vlerësimit të nxënësve, Ismaili thotë se nota përfundimtare do të bëhet në të gjitha aktivitetet që i ka realizuar nxënësi prej një shtatorit e deri në përfundim të vitit shkollor.
“Vlerësimi është sumativ dhe formativ që bëhet. Vlerësimi formativ i nxënësve është ai vlerësim që bëhet për çdo aktivitet që ai realizon. Ato aktivitete bëhen në çdo moment të realizimit të orës brenda orës mësimore qoftë i mësimit në distancë, po e mira e të gjithë kësaj është se ne veç kemi bërë vlerësimin e tremujorit të parë dhe tremujorit të dytë.”,- u shpreh mësimdhënësi, Satki Ismaili.
Ismaili thotë se kjo përvojë duhet të shërbejë edhe pasi të normalizohet gjendja, pasi ka raste kur për arsye të ndryshme nxënësit nuk mund të shkojnë në shkollë dy apo tre javë, prandaj në këto raste nxënësit mund t’i mundësohet të ndjek mësimin online.
VLORA LATIFI TOPOJANI
