Kumanovë, edhe 8 raste të reja, shkon në 62 numri i të prekurve nga Covid-19
Në Kumanovë ditëve të fundit numri i të infektuarve nga virusi Korona po shënon rritje të vazhdueshme...

Gjatë 24 orëve të fundit, në Kumanovë janë regjistruar edhe 8 raste të reja me virusin COVID-19, duke çuar numrin e përgjithshëm në 62. TVM2 nga burime spitalore merr vesh se 2 pacientë janë në gjendje të rëndë dhe janë dërguar në Klinikën Infektive në Shkup.
Me qëllim të sensibilizimit të mbrojtjes nga përhapja e virusit COVID-19, Shtabi Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim në Kumanovë, në mbledhjen e së enjtes ka kërkuar nga Qeveria e RMV-së izolim të përgjithshëm të qytetit të Kumanovës, me protokolle të caktuara për sjelljen e institucioneve, qytetarëve dhe subjekteve juridike, me ç’rast do të parashiheshin kontrolle në të gjitha hyrje-daljet e qytetit.
Shtabi Komunal në mbledhjen e fundit ka obliguar NP “Pastrim dhe gjelbërim” që në mënyrë sa më të shpejtë, para të gjitha bankave dhe postave, të shënojë shirita të verdhë në distancë prej dy metrash, me çka do të ruhej distanca e qytetarëve gjatë pritjeve para bankave dhe postave.
Në fund të theksojmë se për shkak të thirrjeve të shumta në Shtëpinë e Shëndet në Kumanovë, u apelojnë qytetarëve që të paraqiten vetëm për raste të rënda emergjente, ndërkaq për rastet më të lehta të kontaktojnë mjekët amë.
Pas gati një javë të mbylljes së punës, prej sot sërish është rihapur Tregu i Gjelbër me orar pune prej orës 8 deri në orën 14. Tregu do të funksionojë vetëm tri herë në javë, ditën e martë, të enjte dhe të dielën edhe atë vetëm për shitjen e artikujve ushqimorë.
FATLUM AQIFI
