Maqedoni

Gostivar, testohet një person me simptoma të Covid-19

02.04.2020 18:37

Gjatë 24 orëve të fundit, në Gostivar, vetëm 2 persona e kanë shkelur vendimin për lëvizje të kufizuar të qytetarëve...

Gjatë 24 orëve të fundit, në Gostivar, vetëm 2 persona e kanë shkelur vendimin për lëvizje të kufizuar të qytetarëve, të cilët janë privuar nga liria dhe mbajtur deri në zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rasteve.

Ndaj tyre do të iniciohen kallëzime penale. Gjatë kësaj periudhe në Gostivar, numri i përgjithshëm i personave, që janë në karantinë shtetërore ka arritur në 180, kurse numri i personave të cilët kanë nënshkruar deklaratë për vetizolim është 91. Ata vizitohen nga dy herë në ditë nga ana e policisë.

Deri më tani janë bërë 50 ndaj qytetarëve të dyshimtë, ndërsa edhe më tej vetëm një person mbetet pozitiv me virusin Korona, rast i cili këto ditë do të lëshohet në shtëpi, ndërsa simptomat i ka për të rezultuar e shëruar.

Megjithatë, në mbledhjen e sotme të Shtabit të Krizave, drejtori i spitalit të Gostivarit, Jakup Jakupi, raportoi se një çift bashkëshortor i cili ka qenë në karantinën shtetërore në një hotel në Mavrovë, është sjellë në spitalin e qytetit, pasi që burri ka simptomat e të infektuarit me Covid-19. Ndaj të dy pacientëve janë bërë testimet e duhura, ndërsa rezultatet priten të vijnë gjatë ditës së nesërme.

Përndryshe, situata vazhdon të mbahet nën kontroll dhe qytetarët kryesisht iu përmbahen apeleve për vetizolim. Ky  është konstatim nga  mbledhja e gjashtë e Shtabit të Emergjencave pranë komunës së Gostivarit që u mbajt sot. Pas mbledhjes, kryetari i Gostivarit, Arben Taravari, bëri të ditur se aktualisht nga pushteti lokal në Gostivar zhvillohen aktivitete preventive kundër virusit Covid-19. 

Gjithashtu, për të gjitha institucionet, organizatat joqeveritare, shoqatat humanitare dhe grupet joformale të cilat aktualisht shpërndajnë ose planifikojnë të shpërndajnë ndihma humanitare në kohë të pandemisë në territorin e rajonit më të gjerë të Gostivarit (komunat: Gostivar, Vrapçisht dhe Mavrovë-Rostushë), nesër do të organizohet një trajnim për realizim të sigurt të distribuimit të ndihmave.

Trajnimi do të mbahet  me fillim në orën 12:00 në sallën e Këshillit të komunës së Gostivarit dhe i njëjti do të realizohet nga ekspertë të Klinikës për Sëmundjeve Infektive dhe Institutit për Shëndet Publik.

LULZIM HAZIRI