Botë

COVID-19, OBSh: Së shpejti numri i të vdekurve mbi 50 mijë

02.04.2020 19:57

Në Kosovë ka shkuar në 125 numri i të infektuarve nga virusi COVID-19...

Në Kosovë ka shkuar në 125 numri i të infektuarve nga virusi COVID-19, ka bërë të ditur Qendra Klinike Universitare, duke njoftuar për 12 raste të reja, në mesin e të cilëve edhe një foshnje 5 muajsh. Po ashtu ka ndërruar jetë edhe pacienti 47 vjeçar i prekur me COVID-19  në veri të Mitrovicës, i cili ishte transferuar në Nish të Serbisë.

Në Serbi, në 24 orët e fundit janë regjistruar 111 raste të reja, duke ngritur bilancin e të prekurve në 1.171, ndërsa janë regjistruar edhe tre të vdekur, duke e rritur në 31 numrin e përgjithshëm të personave të vdekur.

Ndërsa Mali Zi raporton për 17 të infektuar.

Në Greqi nuk ka raste të reja, ndërsa në 24 orët e fundit nuk janë regjistruar viktima.

Në Bullgari autoritet njoftojnë për 27 raste të reja.

Në 24 orët e fundit në Spanjë janë regjistruar mbi 6 mijë të prekur me virusin Korona, ndërsa kanë humbur jetën të paktën 950 persona, duke e regjistruar numrin më të madh të viktimave për një ditë.

Në Belgjikë raportohet për të paktën 180 viktima, ndërsa në Iran 125.

Bilanci i të infektuarve në nivel global është pranë shifrës 1 milion, ndërsa numri i të shëruarve nga COVID-19 ka kaluar mbi 200 mijë persona.

Komisioni Evropian do të alokojë 100 miliardë euro për ndërmarrjet në 27 shtetet anëtare të BE-së, për të parandaluar largimin e punëtorëve nga puna në situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, numri i vdekjeve për shkak të koronavirusit do të shkojë mbi 50,000 brenda ditëve të ardhshme. Deri tani numri i të infektuarve arrin në mbi 827 mijë, ndërsa numri i të vdekurve ka kaluar në mbi 40 mijë.

Më shumë se 95% e të vdekurve nga koronavirusi i ri në Evropë ishin personat mbi moshën 60-vjeç, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Por, ideja që COVID-19 prek vetëm njerëzit e moshuar është e gabuar. Të rinjtë nuk janë të paprekshëm, kanë theksuar nga OBSh.

SEDAT SELIMI