Maqedoni

Edhe 23 raste të reja, Kumanova mbyllet tërësisht gjatë fundjavës

03.04.2020 16:31

Gjatë 24 orëve të fundit në Kumanovë janë regjistruar edhe 23 raste të reja...

Gjatë 24 orëve të fundit në Kumanovë janë regjistruar edhe 23 raste të reja, duke e çuar në  85 në total, numrin e të prekurve nga Virusi Korona. Këto shifra dhe apelet e shtuara nga shtabi I krizës, bënë që qeveria të vendosë që prej orës 21 të kësaj të premteje e  deri të hënën në 5 të mëngjesit Kumanova të jetë tërësisht e mbyllur. Çdo ditë tjetër nga ora 16 deri në 5 të mëngjesit qyteti do të jetë gjithashtu e bllokuar, praktikisht për Kumanovën, ora policore do të vlejë më herët nga rajonet e tjera.
 
Shqetësues është fakti se në spitalin e Kumanovës kanë rezultuar si pozitivë 11 persona të personelit mjekësor, Tre nga reparti i rentgenit, tre nga reparti i kirurgjisë, një infermiere nga reparti i Gjinekologjisë, një ndihmës dhe një mjek specializant nga repari infektiv. Drejtori i Qendrës për Shëndet Publik  në Kumanovë, pranon për TVM 2 se numri i të prekurve po rritet edhe mes personelit mjekësor.
 
“Gjendja është tejet e rënduar pasiqë kemi rritje të numrit të pacientëve të prekur dhe janë pozitiv me COVID-19, gjithashtu kemi edhe rritje të numrit të personelit mjekësor që janë të infektuar nga ky virus, ndër ta kemi 3 mjekë dhe personel të mesëm mjekësor, ata janë infektuar ose nga pacientët ose kan ardhur nga shtetet e jashtme”, tha Dr. Arif Latifi, drejtor i QSHP – Kumanovë.
 
Ai u apelon qytetarëve se ndihmesa më e madhe në luftën kundër Virusit Korona është që të rrinë në shtëpi e sidomos të mos rrezikojnë mjekët.
 
“Qytetarëve tanë u rekomandojmë që ti zbatojnë urdhërat dhe rekomandimet e Ministrisë së shëndetësisë dhe institutit të shëndetit publik, shumë i rëndësishëm është vetizolimi, mos të lëvizet pa nevojë, të marrin masa mbrojtëse, të përdorin doreza dhe maska, vetëm kështu mund të parandalojmë përhapjen e COVID-19”, tha mes tjerash Arifi.
 
Mbyllja e qytetit në orare më të gjata do të thotë   edhe vendosje e  protokolleve saktë të  përcaktuara për institucionet, qytetarët dhe subjektet juridike, me punkte kontrolluese në të gjitha hyrje daljet e Kumanovës.

FATLUM AQIFI