Maqedoni

Virusi Korona: Ndërrojnë jetë dy pacientë në klinikën infektive; 46 raste të reja nga virusi Korona: gjithsej 430 të prekur, Kumanova me rritje drastike

03.04.2020 18:31

Në Klinikën e Sëmundjeve Ngjitëse në Shkup kanë ndërruarr jetë dy pacientë...

Në Klinikën e Sëmundjeve Ngjitëse në Shkup kanë ndërruarr jetë dy pacientë, një 70 vjeçar nga Kumanova dhe tjetri i moshës 68 vjeçe nga Tetova.

I ndjeri nga Kumanova ka vuajtur nga ndezje e rëndë e mushkërive dhe pritet rezultati i tij nga testimi, ndërkaq pacieneti nga Tetova ka pasur hipertension.

Në 24 orët e fundit janë regjistruar 46 raste të reja me virusin korona, duke shkuar numri në 430. 

Numri më i madh i të prekurve është në Kumanovë 23 të prekur, në Shkup13, Dibër,  Tetovë, Veles dhe Gjevgjeli nga 2 të infektuar ndërkaq  në Gostivar 1 dhe Prilep 1.

Në spitalin e Kumanovës janë infektuar 11 të punësuar, ndërkaq një punëtorë shëndetësorë është regjistruar edhe në klinikën infektive në Shkup.

“Numri i të prekurve në spitalin e  Kumanovës pengon punën e repartit të sëmundjeve ngjitëse. Andaj atje janë dërguar dy mjekë, një nga Shkupi dhe tjetri nga spitali i Shtipit të cilët do të organizojnë punën atje. Po realizohen anketat epidemiologjike, pasiqë ka persona pozitiv në dy reparte tjera, të rentgenit dhe mjekëve kujdestar. Në bazë të rezultateve do të riorganizohet puna e pjesës së mbetur të spitalit. Në klinikën infektive ka një teknik medicinal i cili është pozitiv nga virusi korona, ka ndezje të mushkërive, është bërë anketë epidemiologjike në mesin e të punësuarve por edhe në familje dhe do të organizohet puna në pjesën e klinikës ku punon i prekuri nga virusi”, u shpreh ministri i shëndetësisë Venko Filipçe.

Ndërkaq nga klinika janë lëshuar tre pacientë me gjendje të mirë shëndetësore. Tanimë 20 persona janë shëruar nga virusi pandemik.

Ministri Filipçe s’thotë detaje për rezultatet e ilaçit të kombinuar i cili aplikohet, ndërkaq nuk përjashton mundësinë që të aplikohet edhe plazma e pacientëve të shëruar.

“Ne nisëm përgatitjet me institutit e transfuziologjisë dhe veçmë po përgatitet protokoli në bazë të të cilit do të duhej të merrej plazma nga këta pacientë të shëruar. Ky protokol do të jetë gati të hënën dhe do të diskutohet nga ekspertë në komisionin e sëmundjeve ngjitëse dhe në përputhje me rekomandimet dhe rezultatet do të aplikohet terapia tek pacientët tanë”, theksoi Filipçe.

Në 24 orët e fundit janë bërë 389 testime, ndërkaq gjithsej mbi katër mijë deri më tani. Ministri Filipçe thotë se sistemi shëndetësorë ka fonde të mjaftueshme që të testojë sipas nevojës pjesën më të madhe të të punësuarve shëndetësorë të cilët përballen drejtëpërdrejtë me virusin.

MERLA ISMAILI