MPJ: 2207 shtetas të RMV-së u kthyen nga jashtë

04.04.2020 15:23

Gjithsej 2 207 shtetas të Maqedonisë së Veriut janë kthyer në vend deri më 4 prill....

Gjithsej 2 207 shtetas të Maqedonisë së Veriut janë kthyer në vend deri më 4 prill, bën të ditur Ministria e Punëve të Jashtme e cila organizon kthimin e qytetarëve të vendit që virusi Korona i gjeti në shtete të ndryshme të botës.

“Nga 22 marsi deri më 4 prill, në Qendrën globale të kontaktit për shërbime konsullore në situata urgjente të Ministrisë janë paraqitur 5.228 qytetarë të Maqedonisë nga e gjithë bota të cilët dëshirojnë të kthehen në vend me aeroplan. Nga këta, 2,890 janë dakorduar të vendosen në karantinë shtetërore. Shumica e thirrjeve – 93 për qind, ose 4,861, vijnë nga Europa, kurse 272 thirrje janë regjistruar nga kontinentet jashtë Europës. Me fluturimet e realizuara deri më tani – nga La Valleta, Zagrebi, Ljubljana, Vjena, Bazeli, Munihu, si dhe dy fluturime nga Berlini, Këlni e Boni, në vend janë kthyer 1.445 qytetarë. Përmes tre karvanëve humanitarë me autobusë dhe automobila nga Mali i Zi, Turqia dhe Sllovenia është siguruar kthimi i 150 qytetarëve tanë. Me ndërmjetësinë e Austrisë dhe Portugalisë, 11 shtetas të vendit janë kthyer nga Peruja. MPJ në bashkëpunim me përfaqësitë e huaja në vend ka kthyer mbi 600 shtetas të huaj, mes të cilëve edhe në Austri, Australi, SHBA, Francë, Kroaci, Mali i Zi dhe Kosovë”,- bën të ditur Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut.

Pas shpërthimit të pandemisë të gjitha vendkalimet kufitare në vend u mbyllën më 16 mars, ndërsa më 18 mars u mbyll edhe Aeroporti Ndërkombëtar në Shkup. Pas kthimit në vend, të gjithë udhëtarët dërgohen në karantinë shtetërore. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)