Virusi Korona, 53 të infektuar të rinj në RMV, 5 të vdekur

04.04.2020 17:30

Në 24 orët e fundit janë regjistruar 53 raste të reja të infektuar me Covid-19....

Në 24 orët e fundit janë regjistruar 53 raste të reja të infektuar me Covid-19, ndërsa 5 persona kanë humbur jetën.

Sipas këtyre të dhënave, numri i përgjithshëm i të infektuarve në vend shkon në 483, ndërsa i atyre që humbën jetën për shkak të virusit Korona arrin në 17. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në Klinikën Infektive në Shkup kanë humbur jetën dy pacientë me virusin Korona, një grua 71-vjeçare nga Labunishta e Strugës dhe një burrë 77 vjeç nga Kumanova, të cilët ishin shtruar në spital në një gjendje tejet të rëndë shëndetësore.

Instituti i Shëndetit Publik informon për dy vdekje të tjera, një banor i Velesit i cili vdiq disa ditë më parë dhe rezultati i tij pozitiv ka arritur pas vdekjes së tij dhe një shtetas i huaj që jetoi në Shkup për katër muaj.

Gjithashtu nga Ministria kujton që pacienti nga Kumanova që vdiq më 2 prill në Klinikën e Sëmundjeve Infektive, rezultati pozitiv me Covid-19 u konfirmua pasditen e djeshme.

Në këtë moment në Klinikën Infektive janë hospitalizuar 61 pacientë, prej tyre 11 janë vendosur në aparate të frymëmarrjes artificiale.

Një punonjëse e Poliklinikës Çair është infektuar me virusin Korona dhe menjëherë është vendosur në izolim, pas së cilës ndërtesa është dezinfektuar, konfirmoi sot drejtori i Qendrës Shëndetësore - Shkup, Viktor Isjanovski.

Ai theksoi se gjithsej katër punonjës janë infektuar me koronavirus në Qendrën Shëndetësore në Shkup deri më tani.

Sipas qyteteve nga 53 të infektuarit në 24 orët e fundit në Shkup ka 13 të infektuar, Struga me numër më të madh të të infektuarve, për 24 orë 14 raste të reja, Kumanovë – 8, Shtip – 5, Prilepi dhe Tetova me nga dy të infektuar, Koçani – 6 dhe Velesi 1. (Sanije Duraku, TVM2)