Kërçovë, një person ka shkelur masën e lëvizjes gjatë orës policore

04.04.2020 17:35

Situata e sigurisë në rajonin e Kërçovës gjatë ditë-natës së kaluar ka qenë e qetë....

Situata e sigurisë në rajonin e Kërçovës gjatë ditë-natës së kaluar ka qenë e qetë, ndërkohë që vetëm një qytetar nuk e ka respektuar masën e kufizimit të lëvizjes gjatë orës policore, njofton sektori i punëve të brendshme në Ohër, që mbulon edhe rajonin e Kërçovës.

Nuk ka pasur tubime e as prishje të rendit dhe qetësisë publike. Policia ka realizuar kontrollet e zakonshme në teren dhe ka konstatuar se nuk ka pasur shkelje të masës së vetizolimit, ndërkohë që janë rritur dukshëm rastet që nuk e respektojnë distancën sociale gjatë lëvizjes ose pritjes së qytetarëve për të marrë shërbimet e nevojshme në institucione, ndërmarrje, banka ose markete, edhe përkundër thirrjeve të vazhdueshme të organeve kompetente se mosrespektimi i kësaj mase ka rreziqe dhe pasoja në këtë kohë të përballjes globale me Covid-19.

Ndryshe, në rrugët e qytetit të Kërçovës vërehet një lëvizje e reduktuar e qytetarëve. Tregu i gjelbër në Kërçovë vazhdon të jetë nën masën qeveritare të preventivës ndaj virusit Korona. Për tu furnizuar me këto produkte konsumatorët drejtohen në shitoret përkatëse të pemëve dhe perimeve ose në marketet e qytetit. (Shaban Dalipi, TVM2)