Shqipëria në karantinë totale deri të hënën në orën 05:00 të mëngjesit

05.04.2020 12:37

Dita e sotme vazhdon t’i gjejë shqiptarët në Shqipëri të mbyllur brenda në shtëpi....

Dita e sotme vazhdon t’i gjejë shqiptarët në Shqipëri të mbyllur brenda në shtëpi. Ashtu si javën e kaluar, nga dita e shtunë ora 13:00, deri të hënën në orën 05:00 të mëngjesit ndalohet daljet përpos emergjencave ose të personave në marrëdhënie pune.

Gjithashtu, nuk lejohet qarkullimi i automjeteve, i këmbësorëve, ndërsa në rrugë do të lëvizin policia, ushtria, transporti i mallrave dhe mediat.

Dje kryeministri i Shqipërisë  Rama paralajmëroi për ndëshkime për ata që shkelin masat e vënë, deri edhe në heqje lirie. Ndërkohë, brenda 24 orëve në Shqipëri janë shënuar tre viktima nga Covid-19 dhe është shënuar një rritje e ndjeshme në të infektuar.

Në orët e vona të mbrëmjes së shtunë u shënua viktima e parë në qytetin e Shkodrës. Një grua e moshuar 80-vjeçare, ndërroi jetë në Spitalin e Shkodrës, ndërsa vuante nga sëmundje shoqëruese tensioni, diabeti dhe probleme me zemrën. Ndërkohë, po në mbrëmje, por në Spitalin Infektiv në QSUT, ndërroi jetë një 84-vjeçare. Prej 4 ditësh ajo ndodhej e shtruar në Spitalin Infektiv dhe vuante dhe nga sëmundje bashkëshoqëruese.

Ndërkohë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka bërë të ditur se sot janë testuar 128 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, 5 prej tyre kanë rezultuar pozitive. Ndërsa bëhet e ditur se sot kanë rezultuar 7 persona të shëruar nga  COVID-19. Deri më tani janë regjistruar 140 raste me COIVD-19, ndërsa 23 janë shëruar.