Strugë, ndërron jetë një person, shënohet dhe një rast i ri
Është rënduar bilanci i “Covid 19” në Strugë....

Është rënduar bilanci i “Covid 19” në Strugë, pasi një 63 vjeçar nga fshati Llabunishtë ndërroi jetë menjëherë pasi u pranua në klinikën e infektologjisë në Shkup dhe një tjetër person doli pozitiv pas analizave.
Në total numri i të infektuarve në Strugë ka shkuar në 24, përfshirë edhe 4 viktimat. Komuna e Strugës , Ohrit dhe Vevçanit, po koordinohen në një shtab të vetëm rajonal i cili ka vendosur tashmë që pjesa e re e spitalit të përgjithshëm të Ohrit të shfrytëzohet si qendër bazë për “Covid 19”, ku do të mund të trajtohen personat që kanë simptoma të lehta dhe të mesme.
“Në takim ishin edhe një pjesë e mjekëve, drejtorët e spitaleve dhe kërkuam që të gjithë mjekët amë t’i orientojnë personat që kanë simptoma me Covid 19, të drejtohen në këtë spital të ri që ne e menduam se është më i përshtatshëm dhe atje jo vetëm që do të testohen por edhe do mund të trajtohen personat që kanë simptoma të lehta dhe të mesme, vetëm personat që kanë simptoma më të vështira do të dërgohen në Shkup” – tha shefi i Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Strugës, Dashmir Nasufi.
Komuna e Strugës gjithashtu ka realizuar edhe një takim me myftininë e Bashkësisë Islame në Strugë, nga e cila kanë treguar gatishmëri për bashkëpunim me shtabin e krizës.
Në takim është marrë vendimi që të realizohet një testim vullnetar për Covid 19. Nga komuna kanë lajmëruar se kanë kërkuar nga pushteti qëndror që të sjellin më shumë teste, që të fillojnë testimet nga zyrtarët me qëllim që qytetarët të kuptojnë se është për të mirën e përgjithshme.
“Një nga përfundimet që ne erdhëm edhe në takimin me myftiniun dhe ekipin e tij ishte që të bëhet një testim vullnetar, të jetë pak më I lehtë dhe atë nëse ka nevojë ta fillojmë ne si zyrtarë që qytetarët ta kuptojnë se është për të mirën e përgjithshme.“ – deklaroi shefi i Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Strugës, Dashmir Nasufi.
Qytetarët e Strugës vazhdojnë të respektojnë rekomandimet e qeverisë, duke qëndruar në shtëpitë e tyre dhe duke ju shmangur turmave. (Ilmije Zhaku, TVM2)
