Kumanovë, qytetarët furnizohen me ushqime nga vullnetarët
Pas apeleve të Shtabit komunal për mbrojtje dhe shpëtim....

Pas apeleve të Shtabit komunal për mbrojtje dhe shpëtim, për kujdestari të marketeve dhe dyqaneve për artikuj ushqimor , menjëherë janë paraqitur disa prej tyre dhe gjatë ditës së diel ato kanë punuar.
Porositë janë bërë nëpërmjet telefonit kurse dërgesat përmes vullnetarëve . Megjithë ashpërsimin e masave për qarkullim, nga e premtja në ora 21:00 prej kur ka filluar ora policore e deri të dielën në orën 07:00, janë regjistruar 14 raste të mosrespektimit të lëvizjes së kufizuar.
Për këtë arsye 12 persona janë privuar nga liria, kurse dy të tjerëve vetëm u janë marr të dhënat personale. Andaj u apelohet qytetarëve që ta respektojnë masën e lëvizjes së kufizuar , sepse në të kundërtën do të sankcionohen në bazë të nenit 205 dhe 206 të Kodit penal, thonë nga SPB e Kumanovës.
Në fund të përkujtojmë se ora policore në Kumanovë e filluar nga e premtja në ora 21.00 do të zgjasë deri të hënën në ora 05:00.
Ndërkohë Shtabi komunal për mbrojtje dhe shpëtim ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë të bëjë qartësimin e saktë të gjendjes në Spitalin e përgjithshëm në Kumanovë për numrin e rasteve pozitive tek personeli i spitalit sipas reparteve dhe të jep vlerësimin e vet për funksionalitetin e kapaciteteve të Spitalit në rrethanat e këtilla.
Gjithashtu nga MPB kërkohet që të dërgojë listën e kumanovarëve , të cilët pritet të kthehen në RMV.
Shtabi komunal kërkon nga Shtabi i krizës pranë Qeverisë së RMV që të caktojë një person nga Ministria për punë dhe politikë sociale, i cili do të kyçej në punën e Shtabit komunal për mbrojtje dhe shpëtim. (Fatlum Aqifi, TVM2)
