Virusi Korona në Botë, 1.2 mln të prekur, 65.000 të vdekur, shërohen 247,273
Mbi 1.2 milion të prekur nga pandemija Covid-19 në mbarë botën....

Mbi 1.2 milion të prekur nga pandemija Covid-19 në mbarë botën. Numri i personave të vdekur ka shkuar në mbi 65 mijë, kurse të shëruar deri tani janë 247,273 pacientë.
Vendi më i rrezikuar aktualisht vazhdon të jetë ShBA me 311,637 persona të prekur dhe 8,454 që kanë humbur jetën.
Presidenti Donald Trump paralajmëroi se vendi do të përballet me dy javët më kritike të pandemisë.
Ekspertët mjekësor kanë paralajmëruar se deri në 240 mijë persona mund të humbin jetën nga kjo pandemi edhe nëse zbatohen masat e izolimit.
Spanja ka kaluar Italinë për numrin e personave të infektuar me COVID 19.
Shteti spanjoll është vendi i parë në Evropë për numrin më të madh të të infektuarve, me mbi 130 mijë persona . Vetëm në 24 orët e fundit u konfirmuan 6023 raste të reja të infektimeve.
Italia vazhdon të ketë numrin më të madh të vdekjeve, apo mbi 15 mijë. Dje, për herë të parë pas nëntë ditëve numri i viktimave ra nën 700, që ngjalli pak shpresë te italianët.
Qeveria italiane është duke përgatitur një plan pesë pikësh për rihapjen e kontrolluar të vendit. Italia ka qenë nën bllokim që nga 10 marsi.
Në Britani, bilanci pati një kapërcim të frikshëm me 708 jetë të humbura brenda 24 orësh. Kjo e çon në 4.313 totalin e vdekjeve në Britaninë e Madhe, ndërsa numri i infeksioneve të reja shkoi në 41.903.
Numri i të vdekurve nga virusi korona në Francë ka rënë në 441, pas rekordit prej 588 viktimave brenda një dite, që u shënuar një ditë më herët.
Në 24 orët e fundit, në Turqi janë gjetur edhe 3,013 raste të reja me coronavirus, derisa numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 23,934. Autoritetet turke njoftuan për 76 të vdekur tjerë nga koronavirusi, që e ngritën në 501 numrin e përgjithshëm të viktimave nga kjo pandemi.
Dy vdekje të reja janë regjistruar sot në Greqi, ku numri i viktimave ka shkuar në 71. Edhe Serbia ka regjistruar edhe një të vdekur nga pandemia, duke çuar numrin e të vdekurve në 44.
Në Mal të Zi numri i të infektuarve ka shkuar në mbi 20, kurse në Bosnje dhe Hercegovinë janë shënuar 10 raste të reja, ndërsa numri i të prekurve është 634. Irani është vendi më i prekur nga pandemia COVID 19 në Lindjen e Mesme. Mirëpo presidenti iranian, Hassan Rouhani, tha se aktivitetet ekonomike “me rrezik të ulët” do të ri-nisin nga 11 prilli Ministria e Shëndetësisë tha se numri i viktimave ka shkuar në 3,452 në mesin e 55,743 persona të infektuar.
Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se vendet që nxitojnë të heqin kufizimet e karantinës rrezikojnë një rënie më të madhe të ekonomisë dhe zgjatje të krizës, si dhe shtim të rasteve me koronavirus. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)
