Maqedoni

Sijarto në Shkup: Kuptuam që keni nevojë për ndihmë, ua sollëm

06.04.2020 10:32

Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Hungarisë, Peter Sijarto, arriti në Shkup....

Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Hungarisë, Peter Sijarto, arriti në Shkup, jo vetëm për t’i dhënë vendit tonë mbështetjen deklarative për përballje me pandeminë globale, por edhe për të sjellë ndihmën konkrete hungareze për stafin mjekësor, që është në vijën e parë të frontit në luftën me Covid-19. Në pritjen e tij në aeroport u respektuan të gjitha masat mbrojtëse, u bë matja e temperaturës dhe përshëndetja me zëvendëskryeministrin, Bujar Osmani, u bë sipas të gjitha protokolleve të OBSH-së, pa prekje duarsh. Me gjithë largësinë e imponuar nga situata, ndihma e sjellë tregon afërsinë mes dy vendeve, sidomos në këtë periudhë të vështirë për të gjithë.
 
“E kuptuam që miqtë tanë maqedonas kanë nevojë për ndihmë, e meqë komunikimi ynë ajror me Kinën po funksionon shumë mirë, e ne kemi një linjë prodhuese për maska, mund t’ia lejojmë vetes të ndihmojmë ata që kanë nevojë. Prandaj ne sollëm për ju 100 mijë maska dhe 5000 skafandra mbrojtës, për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut dhe stafin tuaj shëndetësor për të luftuar me sukses virusin dhe shpresojmë që kjo t’ju ndihmojë.”,- deklaroi ministri i punëve të jashtme i Hungarisë, Peter Sijarto.
 
Osmani: Miqësinë e treguat me vendimin e KPP-së, edhe sot
 
Zëvendëskryeministri Osmani falënderoi në emër të Qeverisë ekzekutivin hungarez që gjeti mundësinë për të kapërcyer kufijtë e mbyllur gjithkund për t’i dalë në ndihmë një shteti mik. 
 
“Në një periudhë të tillë, kur rrugët e ndihmës që duhet të vijë te ne janë mbyllur nga gjithkund, Qeveria hungareze gjeti mundësi edhe përskaj të gjitha restrikcioneve, që të na sjellë ndihmë për sistemin tonë shëndetësor. Kjo sigurisht që do të vlerësohet nga qytetarët, qeveria e vlerëson shumë. Por, gjithashtu dua të falënderohem për vendimin e Bashkimit Europian për të filluar bisedimet e për rolin e Hungarisë në këtë vendim, veçanërisht të eurokomisionerit Varjhejli, i cili ka edhe meritën e tij personale për këtë moment të rëndësishëm për shtetin tonë.”,- tha zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
 
Ministri Sijarto u takua edhe me shefin e diplomacisë, Nikolla Dimitrov, dhe me përfaqësues tjerë të lartë me të cilët shkëmbeu informacione për hapat e mëtejshëm në agjendën evropiane të vendit pas marrjes së vendimit pozitiv të Këshillit për Punë të Përgjithshme të BE-së për fillimin e negociatave aderuese me Maqedoninë e Veriut. Pres konferenca e dy ministrave mbahet sipas protokollit mbrojtës ndaj Covid-19, pa praninë e gazetarëve. 
 
MIGENA GORENCA