Maqedoni
Virusi Korona, VMRO: Të mos kolapsohet ekonomia
06.04.2020 15:55
Pasojat e pandemisë ndaj ekonomisë së vendit duhet të jenë sa më të vogla....
Këtë e kërkon partia opozitare VMRO-DPMNE, sipas të cilës pushteti duhet të jetë syçelë dhe të mos lejoj kolapsin e ekonomisë. Nga kjo parti thonë se e rëndësishme është të ruhen vendet e punës dhe të mos mbyllen fabrikat.
“Kriza ekonomike pritet të jetë e gjatë dhe e dhimbshme. Maqedonia, e cila dikur kaloi një krizë të tillë, nuk duhet të lejojë një kolaps tjetër të ekonomisë. Nuk duhet të lejojmë që fabrikat të mbyllen, vendet e punës të humbasin, fluksi i parave të ndalet, mijëra njerëz të lihen pa ekzistencë. Qytetarët e Kavadarit, Probistipit, Sveti Nikollës, Prilepit, Tetovës, Velesit, Kumanovës, Kërçovës, Ohrit, apo Shkupit nuk duhet të lejohet që të përsërisin historinë”,- theksoi Hristina Serafimovska nga VMRO-DPMNE.
LSDM: Masat do të mbajnë gjallë ekonominë
Nga LSDM përgjigjen se pikërisht për të mos lënë të shkojë në humnerë ekonomia, shteti ka ndërmarrë masa konkrete duke ndihmuar me 200 milionë euro për ruajtjen e vendeve të punës.
“Qeveria ndërmori një sërë masash të cilat kanë për qëllim zbutjen e goditjes ndaj ekonomisë. Janë siguruar 200 milionë euro fillestare për ndihmë të punëtorëve, pra që të ruhen vendet e punës. Në masat që janë ndërmarrë janë përfshirë 250 mijë vende pune dhe 35 mijë kompani, kurse ndihmë do të ketë edhe për punëtorët sportivë, artistët, zanatçinjtë si dhe për personat që janë pjesë e ekonomisë joformale”, u shpreh Snezhana Kalevska nga LSDM.
Qeveria javën që lamë pas ka miratuar paketën e dytë të masave ekonomike me të cilat iu del në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve që janë të prekur nga pasojat e pandemisë Covid-19.
ZEKIRJA MEXHITI
