Maqedoni
Dimitrov: Përkrahja hungareze, e vazhdueshme për RMV-në
06.04.2020 16:38
Mbështetja e Hungarisë ndaj Maqedonisë së Veriut nuk po mungon edhe në rrethana të pandemisë me Covid-19....

Mbështetja e Hungarisë ndaj Maqedonisë së Veriut nuk po mungon edhe në rrethana të pandemisë me Covid-19, ashtu siç nuk ka munguar edhe në proceset integruese të vendit. Kështu u shpreh ministri i jashtëm i vendit, Nikolla Dimitrov, pas takimit me homologun e tij hungarez, Peter Szijjarto.
“Bashkëpunimi i ngushtë në nivel rajonal edhe me Bashkimin Evropian do të jetë faktor i rëndësishëm për përballjen me virusin Korona. Dua po ashtu ta falënderoj Peterin për mbështetjen lidhur me aspiratat tona tridekadëshe që të anëtarësohemi në NATO. Dëshiroj t’i falënderohem edhe për përkrahjen për vendimin final nga BE që t’i fillojmë bisedimet qasëse.”,- tha Nikolla Dimotrov nga MPJ e RMV-së.
Sijarto: Me rëndësi që në Ballkan të sundojë paqja
“Ne shumë mirë e dimë se sa është e rëndësishme që në Ballkanin Perëndimor të sundojë paqja dhe bashkëpunimi i ndërsjellë dhe këto gjëra na afrojnë drejt asaj. Nuk duhet t’i harrojmë edhe sfidat e virusit Korona.”,- u shpreh Peter Sijarto nga MPJ e Hungarisë.
Njëherit, ministri Dimitrov bëri të ditur se është paralajmëruar edhe ndihmë nga Norvegjia, ndihmë e BE-së prej 4 milionë eurosh për nevojat e sistemit shëndetësor dhe se kanë kërkuar dhe marrë përgjigje pozitive nga Kina, megjithatë nuk ka numra konkretë për atë ndihmë. Holanda do të ndihmojë me testet për COVID-19, ndërsa mbrëmë vonë e ka konfirmuar gatishmërinë për ndihmë edhe kabineti i presidentit turk Erdoğan, që parasheh ndihma në maska, rroba mbrojtëse dhe teste.
Shefi i Diplomacisë hungareze ka takuar edhe liderin e opozitës, Hristian Mickovski, me ç’rast ky i fundit, duke falënderuar për donacionin hungarez prej 100 mijë maskash dhe 5.000 rrobash mbrojtëse për shërbimet shëndetësore në luftën kundër virusit Korona, theksoi se “miqtë e mirë shihen në ditë të vështira”.
SEDAT SELIMI
