Maqedoni
Tetovë, dy të vdekur në 24 orët e fundit
06.04.2020 17:41
Në rajonin e Tetovës janë regjistruar dy të vdekur me Covid-19....

Kjo ka bërë që Shtabi i Krizës në këtë komunë të kërkojë masa më të rrepta ndaj lëvizjes së qytetarëve në këtë qytet, Qendra e Shëndetit Publik t’i rrisë testimet në rajonin e Tetovës, ndërsa Banka Popullore t’i obligojë bankat komerciale që pensionet tua dërgojnë pensionistëve përmes postës.
“Kërkojmë nga Banka Popullore të marrë masa konkrete që bankat komerciale të adoptojnë orarin e punës në këtë gjendje të jashtë zakonshme dhe të gjejnë modus që të dërgojnë pensionet përmes postës me qëllim që të moshuarit mos të grumbullohen nëpër pikat e bankave. Kemi kërkuar që të rritet kapaciteti i Qendrës së Shëndetit Publik me qëllim që të rritet numri i testimeve në masë, që të mund sa më shpejtë të evidentojmë personat e infektuar dhe të njëjtit të izolohen dhe të trajtohen.”,- deklaroi kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Sa i përket ndalesës për lëvizje të qytetarëve në të gjithë territorin e vendit, gjatë të gjitha ditëve të punës, prej të hënës e deri të premten, prej orës 16:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit të ardhshëm, ndërsa për vikend ndalohet lëvizja plotësisht, qytetarët e Tetovës janë të ndarë në qëndrime.
“Gjithsesi duhet respektuar çdo masë e marrë, duhet respektuar maksimum. Kur e respektojnë 4 miliard popull i botës, pse ne jo.”,- u shpreh një qytetar.
“Nuk jemi të kënaqur, pasi nuk ka, nuk mund të jenë kaq rigorozë, pasi nuk ka nevojë. Nuk është i drejtë, pasi ne kemi nevojë të dalim jashtë, kjo është keqja.”,- tha një qytetar.
Në qytetin e Tetovës gjatë 24 orëve të fundit orën policore e kanë shkelur 3 persona, ndaj të cilëve është ngritur parashtresë adekuate sipas nenit 206 të Kodit Penal të RMV-së. Ndërsa në karantinë shtetërore në Tetovë për momentin janë 210 persona, ndërkohë që kanë nënshkruar deklaratë për vetizolim 8 persona. Nga ana tjetër, me urdhër të Inspektoratit Shtetëror për Sanitari dhe Shëndetësi janë 122 persona të cilët janë edhe në mbikëqyrje të policisë.
VISAR SADIKI
