Maqedoni

Spasovski: Ora policore çdo ditë pune prej orës 16

06.04.2020 18:00

Qeveria ka sjellë masa të reja restriktive për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe vazhdimin e orës policore...

Qeveria ka sjellë masa të reja restriktive për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe vazhdimin e orës policore, gjegjësisht nga dita e mërkurë ora policore do të fillojë në 16 dhe do të mbarojë në 5 të mëngjesit, ndërsa gjatë fundjavës do të ketë 24 orë policore.

Kryeministri, Oliver Spasovski, ftoi qytetarët që të respektojnë masat e reja, pasi që vendi po hyn në fazë radikale të përhapjes së virusit Korona dhe kulmi pritet të arrihet në dy-tre javët e ardhshme.

“Ne si shtet nuk e kemi kaluar më të keqen, sipas ekspertëve në 2-3 javët e ardhshme do ta kemi kulmin e të infektuarve. Me shumë mundësi numri do të jetë mes 2000-2500. Prandaj edhe sjellja jonë duhet të jetë radikale. Qeveria vazhdoi orën policore në tërë territorin e vendit. Ndalohet lëvizja e gjithë qytetarëve në të gjithë territorin, çdo ditë, prej të hënës deri të premten prej orës 16:00 deri në orën 5 e mëngjesit. Për personat deri në 18 vjeç ndalohet lëvizja gjatë gjithë ditëve të punës, nga e hëna deri të premten, përveç periudhës prej 13:00 deri në orën 15:00. Gjatë fundjavës ndalohet lëvizja e gjithë qytetarëve prej të premten në orën 16:00 deri në orën 5 të mëngjesit të së hënës.”,- deklaroi kryeministri, Oliver Spasovski.

Spasovski bëri thirrje që festat e ardhshme të Ramazanit dhe Pashkëve të mbahen në shtëpi.                                                                                            

“Këtë vit, festat e Pashkëve dhe Ramazanit, si të gjitha festat e tjera, duhet t’i kalojmë në shtëpi. Këtë vit ne do t'i dërgojmë lutjet tona nga shtëpia, me telefon, internet dhe jo të mbledhur me të afërmit dhe mysafirët. Nuk do të na bëjë besimtarë më të vegjël, por do të forcojë shpirtin tonëm sepse e dimë që me këtë po shpëtojmë jetë. Jetët tona varen nga sjellja jonë.”,- theksoi kryeministri, Oliver Spasovski.                                                             

Gjithashtu ndalohet lëvizja e qytetarëve në vende publike, në grupe më shumë se dy persona, me përjashtim të prindërve me fëmijët e tyre deri në 14 vjet.

Spasovski apeloi që mos të shpërndahen lajme të rrejshme dhe dezinformata, sepse lënë pasoja afatgjata edhe te qytetarët edhe te institucionet dhe rastet e tilla do të sanksionohen, ndërsa mediat të thirren vetëm në të dhënat zyrtare nga institucionet kompetente.

SANIJE DURAKU