Botë
Virusi Korona, 74 mijë viktima, 277 mijë të shëruar në botë
07.04.2020 11:20
Virusi Korona ka marrë 74 mijë viktima në gjithë botën...
Në Shtetet e Bashkuara, 1.150 njerëz kanë vdekur 24 orët e fundit. Vdekjet në total atje arritën në 10.989. Edhe numri i viktimave në Spanjë është rritur sërisht. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 743 viktima, 100 persona më shumë se dje kur numri i viktimave ishte 637. Në total Spanja ka 13.798 viktima duke u bërë kështu vendi i dytë pas Italisë me numrin më të lartë të vdekjeve në botë dhe vendi i dytë nga numri i të infektuarve në botë pas SHBA-ve, me më shumë se 140.500 pacientë pozitive.
Pas Italisë dhe Spanjës, është Franca shteti që po vuan përhapjen e pandemisë. Vetëm në 24 orët e fundit, në Francë u konfirmuan 833 persona të vdekur. Shifrat vazhdojnë të rriten edhe në Zvicër, me 552 infeksione të reja në 24 orë. Numri i të vdekurve atje është 584.
Japonia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për 30 ditë, në shtatë prefektura të goditura, përfshirë Tokion. Deri më tani në Japoni janë shënuar 92 viktima nga Covid-19 dhe janë infektuar 3.906 persona. Një lajm i mirë vjen nga Kina ku në 24 orët e fundit, nuk është evidentuar asnjë rast i vdekjes nga COVID-19. Sidoqoftë, vendi përballet me valë të dytë të rasteve të infektimit të importuar nga jashtë. Atje aktualisht ka 1.242 raste aktive të virusit korona dhe 1.033 pacientë asimptomatikë, të cilët janë vendosur në izolim dhe mbikëqyrje.
Përkundër numrit të lartë të vdekjeve në botë, numri i të shëruarve është gati 4-fish më i lartë apo 277 mijë. Nga të shëruarit kryesimin e mban Kina që tashmë është duke nxjerrë nga spitalet pacientët e fundit, pas Kinës vjen Spanja me 40 mijë të shëruar ndjekur nga Gjermania, Irani, Italia dhe SHBA.
