Botë

Covid-19, në ShBA mijëra qytetarë humbën “betejën”

08.04.2020 11:12

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës situata po bëhet gjithnjë e më alarmante...

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës situata po bëhet gjithnjë e më alarmante me numrin e të prekurve nga virusi Covid-19. Brenda 24 orëve të fundit, numri i personave që humbën betejën me virusin arriti në 1 mijë e 800, ndërsa numri i të prekurve arriti në 400 mijë. E derisa SHBA-të luftojnë me virusin, në Vuhan të Kinës pas 11 javësh, banorët atje dolën nga karantina dhe të njëjtit munden sërish të qarkullojnë të lirë në qytet.
 
Virusi Korona ka marrë 74 mijë viktima në të gjithë botën. Edhe numri i viktimave në Spanjë është rritur sërish. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 743 viktima, 100 persona më shumë se dje kur numri i viktimave ishte 637. Në total, Spanja ka 13 mijë e 798 viktima, duke u bërë kështu vendi i dytë pas Italisë me numrin më të lartë të vdekjeve në botë dhe vendi i dytë nga numri i të infektuarve në botë pas SHBA-ve, me më shumë se 140 mijë e 500 pacientë pozitivë.
 
Pas Italisë dhe Spanjës, është Franca shteti që po vuan përhapjen e pandemisë. Vetëm në 24 orët e fundit, në Francë u konfirmuan 833 persona të vdekur. Shifrat vazhdojnë të rriten edhe në Zvicër, me 552 infeksione të reja në 24 orë. Numri i të vdekurve atje është 584.
 
Japonia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për 30 ditë, në shtatë prefektura të goditura, përfshirë Tokion. Deri më tani në Japoni janë shënuar 92 viktima nga Covid-19 dhe janë infektuar 3 mijë e 906 persona.