Botë
Shqipëri, 400 të infektuar nga virusi Korona
08.04.2020 14:44
Në Shqipëri ka arritur në 400 persona numri i të prekurve nga Covid-19...
Në Shqipëri ka arritur në 400 persona numri i të prekurve nga Covid-19, pasi janë konfirmuar edhe 17 raste të reja në 24 orët e fundit. Po ashtu janë regjistruar edhe 23 të shëruar në 24 orë, duke e çuar në 154 numrin e të shëruarve në përgjithësi.
“Deri në këto momente, 2989 raste të dyshuara prej të cilave të konfirmuara me Covid-19 janë 400 raste. Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur fatkeqësisht 22 qytetarë, pavarësisht përpjekjeve të jashtëzakonshme të stafit mjekësor për t’ua shpëtuar jetën.”,- deklaroi drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik - Tiranë, Albana Fiço.
Në mesin e të shëruarve nga Covid-19 në Shqipëri është një mjeke dhe 4 infermierë, apo në total deri tani janë shëruar 27 mjekë dhe infermierë të personelit shëndetësor.
Kosovë, 184 të infektuar nga virusi Korona
Por, derisa nga Shqipëria vijnë lajme të mira për shërimin e personelit mjekësor, nga Klinika për Sëmundje Infektive në Prishtinë njoftuan për pesë anëtarë të stafit të Klinikës të cilët janë të infektuar me virusin Korona, nga i cili deri më tani janë infektuar 184 qytetarë të Kosovës, 5 prej të cilëve kanë humbur jetën.
“Ashtu siç jeni të informuar, edhe zyrtarisht dje rreth orës 19 e 40 ka përfunduar me vdekje edhe një pacient 56 vjeçar nga Prishtina, i cili përveç infeksionit me Covid, ka qenë edhe me disa sëmundje tjera shoqëruese.”,- u shpreh drejtoresha e Klinikës Infektive – Prishtinë, Lindita Ajazaj – Berisha.
Autoritetet shëndetësore në Kosovë po ashtu bënë të ditur se tanimë është shëruar rasti i parë - pacienti zero, 77 vjeçari i cili ka pasur sëmundje kronike të mëhershme, por edhe infeksion shumë të rëndë me virusin Korona, por pas trajtimit mjekësor, pacienti është shëruar.
GYLTENE SINANI
