Ekonomi

“Konflikti” verbal i Ministrisë së Ekonomisë me hotelierët, Bekteshi: Nuk ka largime nga puna të 15.000 punonjësve

08.04.2020 15:54

Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, mohon pohimet e Shoqatës së Hotelierëve për gjoja largimin nga puna të 15 mijë punonjësve...

Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, mohon pohimet e Shoqatës së Hotelierëve për gjoja largimin nga puna të 15 mijë punonjësve hotelerik për shkak të pandemisë së Covid-19.
 
Derisa Shoqata e Hotelierëve dhe Gastronomisë kumtuan se mijëra hotelierë i refuzojnë masat e qeverisë dhe i vlerësojnë si të papranueshme, ministri Bekteshi sot pohon të kundërtën.
 
Interesi nga ky sektor është aq i madh sa nga Qeveria kanë qenë të detyruar të plotësojnë në bankë fondin për zhvillim me 8 milionë euro mjete shtesë. Sipas ministrit Bekteshi, deklaratat e këtilla janë vetëm shantazhuese.
 
“Janë të pavërteta faktet e theksuara nga ana e Shoqatës së Hotelerisë dhe Gastronomisë në kuadër të Lidhjes së Odës Tregtare se 15.000 punëtorë janë lëshuar nga puna. Dua të siguroj se të gjithë të punësuarit në këtë sektor, çdo kush do të jetë i përfshirë në kuadër të masave për subvencionimin e pagës minimale dhe masat e tjera. Nuk është kohë për shantazhimin e institucioneve.”,- deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Bekteshi shtoi se këtyre ditëve janë në pritje të kompletimit të të gjitha të dhënave për t’i bërë publike për opinionin se nuk ka largim nga puna të 15 mijë punonjësve, aq sa pohojnë shoqatat.
 
Hotelierët dhe gastronomitë refuzojnë t’i shfrytëzojnë masat lehtësuese të qeverisë, sepse sipas tyre kjo do të nënkuptojë huamarrje e radhës të cilën nuk do të mund ta tejkalojnë.
 
Kërkuan që paratë e dedikuara për ta, qeveria t’i harxhojë për punonjësit dhe theksuan se që nga fillimi i krizës e deri më tani hotelierët  kanë qenë të detyruar që të lirojnë nga puna gjysmën nga 29 mijë punonjësit e punësuar në këtë sektor.
 
MERITA GASHI