Maqedoni
Epidemiologu Danillovski: Mbështes masat shtrënguese të Qeverisë
08.04.2020 16:28
Epidemiologët mbështesin masat shtrënguese për lëvizjen e qytetarëve...

Epidemiologët mbështesin masat shtrënguese për lëvizjen e qytetarëve, pasi kjo shihet si mundësia më e mirë për të parandaluar përhapjen e virusit Korona. Apelet për distancë sociale nuk po japin rezultatet e duhura, pasi numri i të prekurve vazhdon të rritet, thotë epidemiologu Danillovski.
“Numri i të sëmurëve po rritet vazhdimisht. Kjo nuk mund të lejohet. Ne dëshmuam se masat rekomanduese për të mbajtur distancë sociale nuk janë efikase. Interesi kolektiv është mbi interesin individual, prandaj shteti ka të drejtë të aplikojë masa detyruese që ta mbrojë interesin kolektiv.”,- deklaroi epidemiologu, Dragan Danillovski.
Masat shtrënguese të qeverisë duhet të vazhdojnë derisa nuk sigurohet imuniteti kolektiv, thotë epidemiologu Danillovski, sipas të cilit ndoshta duhet pritur edhe me muaj.
“Përhapja epidemiologjike mund të ndërpritet edhe më herët nëse rezultojnë të vërteta analizat e një studimi në SHBA, sipas të cilave në temperatura të larta virusi dobësohet, që do të thotë se duhet të presim verën e nxehtë.”- u shpreh epidemiologu, Dragan Danillovski.
Deri sa të vijnë ditë më të mira sa i përket dobësimit të virusit Korona, epidemiologët apelojnë që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi vetëm në shoqëri të anëtarëve të ngushtët të familjes.
GYLTENE SINANI
