Maqedoni

VMRO-DPMNE: Po rrezikohen vendet e punës në hotelieri. LSDM: Masat e qeverisë janë të mjaftueshme

08.04.2020 18:03

VMRO- DPMNE sërish akuzon qeverinë se masat ekonomike për të ndihmuar ekonominë në kohën e krizës...

VMRO- DPMNE sërish akuzon qeverinë se masat ekonomike për të ndihmuar ekonominë në kohën e krizës nga Kovid-19 nuk do të kenë efekt.

Nga kjo parti janë të shqetësuar sepse 30 mijë vende pune janë të rrezikuara në sektorin hotelierike, prandaj kërkojnë që të ndërmerren më shumë masa për të ndihmuar këtë sektor.

“Të ndihmohen kompanitë hotelierike me 50 për qind të pagës bruto që merr çdo i punësuar për muajin mars, prill dhe maj. Shpenzimet publike drejt shtetit, këtu hyn TVSh, tatimi i fitimit dhe shpenzime të tjera të anulohen deri në muajin e 10 të vitit 2020, gjegjësisht deri në tetor dhe më pas t’u mundësohet shlyerje e obligimeve në këste pa kamatë nga ana e shtetit. Asnjë nuk do të dëmtohet, as kompanitë e as shteti, por do të jetë një ndihmë e madhe për sektorin hotelierik.”,- tha Vlladimir Nelloski nga VMRO-DPMNE.

VMRO gjithashtu propozon që hotelierët të lirohet nga pagesa e qirave për teracat verore në gjithë sezonin, të minimizohen kriteret për shfrytëzim të masave qeveritare dhe dokumentet e nevojshme për aplikim të jepen në mënyrë elektronike dhe me para të shtetit.

Por, nga LSDM thonë se masat ekonomike janë të mjaftueshme për të ndihmuar ekonominë.

“Pakoja e masave ekonomike parasheh ndihmë prej 200 milion eurove për përkrahje ekonomike që përfshin 250 mijë të punësuar dhe 35 mijë kompani. Shteti jep 14.500 denarë pagë për çdo të punësuar në kompanitë e goditura nga kriza. Për qytetarët sigurojmë lehtësime serioze financiare, lirohen nga pagesa e kësteve të kreditit dhe stopohen veprimet e përmbaruesve.”,- u shpreh Kostadin Kostadinov nga LSDM.

Nga Oda Ekonomike Hotelierike kanë deklaruar se nuk do të shfrytëzojnë masat qeveritare për përkrahje ekonomike dhe se 15 mijë të punësuar veç më janë larguar nga puna dhe pritet të ketë rrezik dhe për 15 mijë vende tjera të punës.

SANIJE DURAKU