Botë
Shqipëri, masat japin rezultate, vetëm 9 të sëmurë të rinj
09.04.2020 15:03
Prej pak ditësh, numri i personave të prekur me koronavirus në Shqipëri ka pësuar ulje...

Prej pak ditësh, numri i personave të prekur me koronavirus në Shqipëri ka pësuar ulje, ndërsa numri i viktimave ka mbetur i njëjtë, 22. Gjatë 24 orëve të fundit, sipas Institutit të Shëndetit publik janë regjistruar vetëm 9 raste të reja me Covid 19, duke e cuar numrin total në 409. Është rritur në 165 edhe numri i pacientëve të shëruar. Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se javën e ardhshme pritet të nisë lehtësimi gradual i masave kufizuese.
"Në 24 orët e fundit janë testuar 234 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 9 raste të reja me COVID-19. Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 22 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor. Gjatë 24 orëve të fundit, 11 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 165. Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë me 6 raste, Elbasan 3 raste. Sic e tregojnë edhe shifrat e ditëve të fundit, ku ka raste brenda të njëjtës familje, është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19.", tha Rovena Daja nga ISHP.
LULJETA NDOKA
