Botë

Virusi Korona - shqetësim për botën. BE, me pako shpëtimi prej 500 miliardë eurosh

10.04.2020 13:20

Në Greqi ka shkuar në 89 numri i të vdekurve nga virusi Korona, ndërsa numri i të infektuarve arrin në 1 mijë e 955....

Në Kroaci nga Covid-19 janë infektuar 1 mijë e 407 persona, ndërsa 20 persona kanë humbur jetën. 
 
Në Mal të Zi numri i përgjithshëm i të prekurve është 252, ndërsa dy persona kanë humbur jetën. 
 
Në Bosnjë e Hercegovinë janë regjistruar 882 raste me virusin Korona.
 
Në Turqi në 24 orët e fundit, 96 persona kanë ndërruar jetë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 906, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara u rrit me 4 mijë e 56. 
 
Nju Jorku është goditur rëndë nga virusi Korona. Aktualisht ky shtet amerikan ka mbi 159 mijë e 937 të infektuar, duke e kaluar Spanjën, e cila ka 153 mijë raste dhe Italinë me 143 mijë raste. 
 
Kina, vendi ku ka shpërthyer fillimisht virusi vitin e kaluar, ka raportuar për 82 mijë raste të infektuara. 
 
Ndërsa në tërë Shtetet e Bashkuara janë infektuar 462 mijë persona me Covid-19, ndërkohë që u ka marrë jetën mbi 16 mijë e 500 personave. 
 
Por, ndonëse Nju Jorku udhëheq për nga numri i të infektuarve, numri i vdekjeve në këtë shtet është 7 mijë, apo më i ulët se në Spanjë, ku janë regjistruar 15 mijë e 843 dhe Itali 18 mijë e 279 të vdekur. 
 
Numri i personave të infektuar me virusin Korona në Gjermani, në 24 orët e fundit, është rritur për 5 mijë e 323, duke e dërguar në 113 mijë e 525 numrin total të të prekurve me këtë sëmundje. 
 
Në Mbretërinë e Bashkuar deri më tani janë regjistruar 65 mijë e 872 persona të infektuar dhe 7 mijë e 993 të vdekur.
 
Suedia, për dallim nga pjesa tjetër e Evropës, po përballet me COVID-19 pa izolim të shkallës së gjerë. Aty jeta po vazhdon në mënyrë pothuajse normale. Në Suedi, që nga 9 prilli janë regjistruar mbi 9 mijë raste të të infektuarve dhe rreth 800 të vdekur. 
 
Krahasuar me Çekinë, shtet me numër pothuajse të njëjtë, atje janë regjistruar mbi 5 mijë të infektuar dhe 104 viktima, apo 8 herë më pak se Suedia. Në krahasim me tre fqinjët e saj nordikë, që po ashtu kanë zgjedhur masat kufizuese, numri i viktimave në Suedi është më i lartë se në të tre vendet së bashku, pavarësisht se popullsia e Danimarkës, Finlandës dhe Norvegjisë është mbi 16 milionë banorë, për dallim nga Suedia që ka 10 milionë banorë. 
 
Në tërë botën me virusin Korona janë prekur 1 milion e 614 mijë e 396, ndërsa 96 mijë e 788 persona kanë vdekur. 
 
Por, krahas numrit të madh të personave të infektuar dhe të vdekur, virusi Korona ka dëmtuar edhe ekonominë botërore. Për të përballur pasojat, ministrat e financave në vendet e Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshje për paketën e shpëtimit në vlerë të 500 miliardë eurove, e cila synon t’iu ndihmojë vendeve evropiane të prekura nga pandemia e virusit Korona. 
 
Edhe udhëheqësja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgiev, ka paralajmëruar se bota po përballet me krizën më të rëndë ekonomike prej periudhës së “Depresionit të Madh” të viteve 1930. Ndërsa sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka paralajmëruar Këshillin e Sigurimit se pandemia me virusin Korona është duke kërcënuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare – “çka potencialisht mund të rezultojë me rritje të pakënaqësive shoqërore dhe dhunë, e cila mund të dëmtojë rëndë aftësinë tonë për ta luftuar virusin”. 
 
FITORE DEMOLLI