Maqedoni
Menduh Thaçi: Të dyshuarit të hospitalizohen, respektoni masat!
10.04.2020 14:10
Kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, përsëriti qëndrimin që qytetarët të respektojnë distancimin fizik...

Kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, përsëriti qëndrimin që qytetarët të respektojnë distancimin fizik, por u apeloi edhe institucioneve që më seriozisht të merren me personat që ankohen nga simptomat e ngjashme me Covid-19 e t’i hospitalizojnë menjëherë, pasi të sëmurët eventualë nuk mund të zbulohen nga një bisedë telefonike.
“Kisha apeluar te të gjithë epidemiologët dhe institucionet, ngaqë shtetet përreth nesh ka disa ditë që e kanë ndryshuar qasjen për të gjithë njerëzit që kanë ankesa, simptoma që kanë të bëjnë me Covid-19 dhe prandaj Maqedonia e Veriut duhet të kalojë në hapin tjetër dhe jo më nëpërmjet telefonit t’u thuhet personave të qëndrojnë në shtëpi, por të njëjtit të hospitalizohen. Qytetarët, të mos e humbin durimin dhe të qëndrojnë në shtëpi, sepse pas çdo vije që e kalojnë, na presin plumba. Arma kryesore që ne ta luftojmë virusin Korona është distancimi fizik. I kisha lutur të gjithë njerëzit të kenë durim, t’i respektojnë masat që ne ta luftojmë këtë betejë. Jam shumë i brengosur që nga masat që po ashpërsohen këto ditë, mund të sjellë deri te shkelja e këtyre masave.”,- tha Thaçi.
