Maqedoni
Në Tetovë nuk respektohen rekomandimet për distancë sociale
10.04.2020 15:23
Edhe pak orë na ndajnë që edhe në qytetin e Tetovës të hyjë në fuqi ora policore prej orës 16 deri në 5 të mëngjesit...

Edhe pak orë na ndajnë që edhe në qytetin e Tetovës të hyjë në fuqi ora policore prej orës 16 deri në 5 të mëngjesit të ditës së hënë. Shumë qytetarë janë grumbulluar para bankave, marketeve dhe institucioneve tjera për të kryer shërbimet dhe për të siguruar nevojat e domosdoshme për familjet e tyre.
Qytetarët e pyetur nga TVM2 se a janë përgatitur për izolim 56 orësh, ata kanë theksuar se janë përgatitur sipas kushteve që kanë, por sipas tyre ka shumë familje që nuk i kanë as kushtet elementare. Ndërsa ka prej tyre që këtë mbyllje e shohin të gabuar, pasi sipas tyre numri i njerëzve rritet në çdo vend dhe ka mundësi që shumë më lehtë të infektohet e tërë masa.
“Jemi munduar të përgatitemi që nga ardhja në fuqi e vendimit të qeverisë. Por, nuk e dimë sa është e arsyeshme nga qeveria të marrë këto vendime ku njerëzit grumbullohen që t’i kryejnë detyrat e tyre si nëpër banka por edhe në institucionet publike, por shohim se edhe në markete ka grumbullim të madh njerëzish dhe masat nuk respektohen tërësisht.”,- u shpreh një qytetar.
“Ne në përgjithësi jemi të përgatitur, por duhet të kemi parasysh ka edhe familje që nuk munden të përgatiten për 48 orë, prandaj është dashur shumë më herët të merren masat. Nuk bëhet fjalë për familjet që janë në Tetovë, po kemi familje që jetojnë në viset më të larta dhe nuk e dimë gjendjen e tyre dhe sa kanë mundësi ata, por edhe shitoret e tyre a kanë mjaftueshëm ushqim për të përballur këtë krizë.”,- tha një qytetar.
“Unë kam pensionin e Sllovenisë, mund të duroj me familjet, por për të tjerët vështirë.”,- theksoi një qytetar.
Nga SPB-Tetovë kanë theksuar se gjatë orës policore mund të lëvizin vetëm ata persona që paraprakisht kanë marrë leje për lëvizje të lirë.
“Janë disa lloje të bizneseve siç janë: marketet, shitoret, bukëpjekësit dhe barnatoret, kanë të drejtë të sigurojnë leje qarkullim për persona mobil të cilët do të dërgojnë porosinë online deri në adresën e porositësit.”,- tha zëdhënësi i SPB-Tetovë, Fatmir Rexhepi.
Në Tetovë numri i të infektuarve me një rast të ri sot shkon në 32 persona. Ndërkaq, orën policore e ka shkelur vetëm një person. Në karantinë shtetërore janë 152 persona. Ndërsa me nënshkrim për vetizolim në Tetovë janë 20 persona. Kurse me vendim të Inspektorati Shtetëror për Sanitari dhe Shëndetësi janë 177 persona nga Tetova.
VISAR SADIKI
