Filipçe: Zaev dhe Mickovski, në izolim 14 ditor, në 24 orët e kaluara, 48 raste me Covid-19

10.04.2020 17:58

Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe....

 

Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, bëri të ditur se liderët e dy partive më të mëdha në vend janë në izolim shtëpiak për shkak se kanë pasur kontakt me një gazetar, i cili ka rezultuar pozitiv me virusin Korona. Dy liderët do të jenë në izolim të detyrueshëm 14 ditor, prandaj ata që kanë pasur kontakt me dy liderët tani për tani nuk duhet të izolohen.                                                                                                                       

“Vazhdohet sipas rekomandimeve standarde që vlejnë për të gjithë, e ajo është izolim shtëpiak 14 ditë. Të gjithë ata që kanë pasur kontakt me dy liderët partiakë, sipas të dhënave të deritanishme, nuk duhet të kenë frikë, nuk janë në rrezik dhe nuk duhet të izolohen.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.                                      

Vënien në izolim e kanë konfirmuar edhe kreu i LSDM-së, Zaev, dhe ai i VMRO-së, Mickovski. Zaev nëpërmjet rrjeteve sociale ka thënë se ndodhet në shtëpinë e tij në Strumicë dhe ndjehet mirë.

“Dëshiroj t’ju informoj se gjatë javës së kaluar kam pasur një intervistë në TV me një gazetar, i cili kohët e fundit ka rezultuar pozitiv me Covid-19. Megjithëse gjatë intervistës kemi marrë të gjitha masat mbrojtëse, siç është shmangia e kontaktit dhe ruajtja e distancës, sipas të gjitha protokolleve, që nga sot unë jam në izolim në shtëpinë time në Strumicë”, ka shkruar Zaev në profilin e tij në Facebook.

Edhe Mickovski ka shkruar se është në gjendje të shkëlqyeshme shëndetësore dhe fizike.

“Do të doja të ju informoj se deri më tani jam në gjendje të shkëlqyeshme shëndetësore dhe fizike. Gjatë ditës së djeshme, pasi mora informacionin se shëndeti i gazetarit me të cilin pata një intervistë saktësisht një javë më parë në lidhje me pandeminë, jam testuar dhe kam rezultuar negativ. Sidoqoftë, unë do të respektoj rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë dhe në periudhën në vijim për disa ditë do të qëndroj në izolim.”- shkruan Mickoski.

Sa i përket gazetarit të infektuar me Covid-19, ai është në gjendje stabile shëndetësore dhe po kurohet në Spitalin “8 shtatori”, bëri të ditur ministri i shëndetësisë, Filipçe.

Në 24 orët e kaluara janë regjistruar edhe 48 raste të reja me virusin Korona.

“Statistika sipas qyteteve është kjo: Në Shkup - 11, Kumanovë – 25,  Prilep - 4, Struga - 3, Gostivar - 2 dhe nga një në Shtip, Tetovë dhe Ohër.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Numri më i madh që janë të infektuar në Kumanovë janë praktikisht pacientë që ishin në izolim shtëpiak.

206 persona me virusin Korona në vendin tonë nuk kanë asnjë lloj simptome, thuhet në statistikën e Institutit për Shëndet Publik. Numri i përgjithshëm i të infektuarve në vend është rritur në 711. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në Klinikën Infektive janë shëruar tre pacientë, dy nga Tetova dhe njëri nga Kumanova. Deri më tani, 41 persona janë shëruar nga virusi. Ndërsa numri i viktimave është 32. (Sanije Duraku, TVM2)