Testimi ekstern, shpërblehen dhe dënohen mësuesit
297 mësues që ligjërojnë në shkollat fillore, do të dënohen me 15 % të pagës mujore gjatë një viti, si rezultat i mospërputhjes së notave me ato të notimit ekstern.....

Këto të dhëna janë publikuar në listat e Ministrisë së Arsimit, me ç’rast është shumë më lartë numri i arsimtarëve që dënohen se sa i atyre që shpërblehen.
Drejtori i sh. f. “Adem Jashari”, Halil Palloshi, thotë se në shkollën e tij ka vetëm arsimtarë të shpërblyer, por edhe më tej kërkon që të rishqyrtohet ky vendim dhe të organizohet një debat për këtë çështje.
“Ka edhe manipulime nga ana e fëmijëve, p.sh. kanë kopjuar dhe aty nuk është faji i arsimtarit. Unë jam gjithmonë kundër dënimeve, sepse ka masa të tjera dhe duhet një opinion më i gjerë për këtë vendim”- deklaroi drejtori i sh. f. “Adem Jashari”, Halil Palloshi.
Arsimtarët ankohen edhe për faktin se përmasat e dënimeve dhe shpërblimeve nuk janë të barabarta. Po ashtu janë evidentuar reagime për mënyrën dhe kushtet e realizimit të testimit ekstern.
“Sa i takon masave të dënimit dhe përmasat e shpërblimit, ato janë 10 %, ndërsa dënimet janë 15 %. Unë jam i mendimit se sa janë shpërblimet aq duhet të jenë dënimet. Reagime të mëdha ka pasur nga prindërit, nxënësit, arsimtarët, sepse pyetjet nuk kanë qenë ashtu siç është dashur të jenë”- tha arsimtari, Raif Dardhishta.
Janë evidentuar edhe raste të tilla kur edhe përskaj rezultateve të mira, arsimtarët nuk janë shpërblyer.
“Mua më doli nota mesatare 0.2, është dashur të vlerësohem, por nuk jam vlerësuar, sepse është me short dhe kjo nuk është në rregull. Unë mendoj se kjo duhet të ndërpritet rreptësisht, as të mos shpërblehen e as të mos dënohen me këtë lloj testimi”- u shpreh mësuesja, Adriana Shehu Ismaili.
Me ligjin ekzistues, arsimtarët, të cilët dënohen tre vite me radhë, do t’u ndërpritet kontrata e punës, por grupet punuese të MASH-it dhe SASHK-ut do të shqyrtojnë këtë vendim në mënyrë që ditëve në vijim të jepet vendimi përfundimtar për këtë çështje. (Flutura Latifi, TVM2)
