Maqedoni

Angellosvka: Të gjithë kompanitë mund të shfrytëzojnë masat. Shqyrtohet rritja e akcizës së derivateve

12.04.2020 15:40

Të gjithë kompanitë nga të gjitha industritë do të mund të aplikojnë për të përfituar nga masa për subvencionimin...

Të gjithë kompanitë nga të gjitha industritë do të mund të aplikojnë për të përfituar nga masa për subvencionimin e pagave të punëtorëve prej 14.500 denarësh.

Këtë e bëri të ditur ministrja e financave, Nina Angellovska, e cila i tregoi kushtet që duhet plotësojnë kompanitë për të përfituar nga kjo masë, ndërsa potencoi se realizimi i kësaj mase që do të përfshijë rreth 250 mijë të punësuar do t’i kushtojë shtetit 120 milionë denarë.                                                                                                             

“Qëllimi i kësaj ndihme është që kompanitë të mund t’i ruajnë vendet e punës edhe përkundër uljes së intensitetit të punës. Kjo masë do t’i përfshijë të gjitha kompanitë nga sektorë të ndryshëm por të cilët përmbushin disa kushte. Kushti i parë për ta shfrytëzuar këtë masë është që kompania të ketë ulje të të hyrave për 30 për qind për muajt prill dhe maj, për dallim nga viti i kaluar në periudhën e njëjtë. Kompanitë e sapoformuara rënien e të hyrave duhet ta kenë në periudhën që punojnë, ndërsa për kompanitë sezonale merret për bazë mesatarja e katër muajve të fundit nga viti i kaluar. Kushti i dytë është që kompanitë të mos ndajnë dividenta, bonuse apo shpërblime dhe kushti i tretë është që për 10 për qind të numrit të përgjithshëm të të punësuarve paga të jetë deri në 120.000 denarë për punëtor.”,- tha ministrja e financave, Nina Angellosvska.                                                                                                     

Pas kërkesës së Odës Ekonomike për rritje të akcizave për vajin ekstra të lehtë dhe eurodizelin, Angellovska njoftoi se janë duke u përgatitur analizat dhe qetësoi se çfarëdo vendimi që do të merret nuk do të godasë xhepat e qytetarëve.                                                                                                           

“Çmimet blerëse me pakicë janë ulur për 20 denarë dhe konsiderojmë se është e arsyeshme dhe ka bazë të shihet se sa është përfitimi nga të ardhurat e akcizave në buxhet. Kjo ulje e çmimeve na jep të drejtën për  të bërë analiza, por gjithnjë në asnjë moment të mos goditen as qytetarët e as biznesi.”,- u shpreh ministrja e financave, Nina Angelosvska.                                                                            

Si masë për menaxhim të krizës, Oda Ekonomike propozoi për dy denarë të rritet akciza për vajin ekstra të lehtë dhe eurodizelin, ndërsa akciza për vajin ekstra të barazohet me akcizën për lëndën djegëse dizel.

Përllogaritjet e tyre tregojnë se me masat e propozuara nga akcizat dhe TVSh nga shitja e derivateve të naftës në muaj do të grumbulloheshin 3,8 milionë euro më shumë, gjegjësisht 46,2 milionë euro në nivel vjetor.

Kundër propozimit për rritjen e akcizës ka dalë Asociacioni i Transportuesve “Maktrans” prej ku vlerësuan se është joracional dhe se na kanoset inflacioni.

ZEKIRJA MEXHITI