Maqedoni

MPB: 138 persona nuk e respektuan orën policore

12.04.2020 16:14

Edhe sot rrugët e kryeqendrës ishin pothuajse të zbrazëta, pasi qytetarët po e respektojnë orën policore prej 61 orësh...

Edhe sot rrugët e kryeqendrës ishin pothuajse të zbrazëta, pasi qytetarët po e respektojnë orën policore prej 61 orësh, e cila ka filluar të premten në orës 16 dhe do të përfundojë të hënën në orën 5 të mëngjesit.

Në rrugë vëreheshin vetëm pjesëtarët e policisë të cilët kontrollonin ata pak qytetarë të cilët po lëviznin me leje për të shkuar në punë, pasi ndalesa për lëvizje nuk vlejnë për armatën, punonjësit shëndetësorë, barnatoret, të punësuarit në media, të punësuarit në markete dhe restorantet të cilët bëjnë dërgesën e porosive.

Megjithatë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë territorin e vendit 138 persona nuk kanë respektuar orën policore, prej të cilëve 121 janë arrestuar, ndërsa të ndaluarve të tjerë u janë marrë të dhëna dhe po përgatiten masat e duhura.

Po ashtu, siç njofton policia, gjatë orës policore janë arrestuar dy persona të dyshuar për vjedhje. Pjesëtarët e policisë nga SPB-Shkup në rrugën “Filipi i Dytë i Maqedonisë” pas kontrolleve kanë arrestuar personin P. N. 41 vjeç nga fshati Kuçevishtë e Shkupit, ndërsa në rajonin e Çairit kanë arrestuar personin me iniciale E. E. i moshës 21 vjeçare.

Tek dy të dyshuarit gjatë kontrolleve policia ka gjetur gjësende që dyshohet se janë të vjedhura. Pas dokumentimit të plotë të rastit, policia do të përgatisë akuzë konkrete.

GYLTENE SINANI