Pashkët, besimtarët katolikë festojnë në izolim
Besimtarët katolikë dhe disa kisha ortodokse, përfshi ortodoksët shqiptarë festojnë Pashkët...
Por, këtë herë festimet po zhvillohen në kushte të jashtëzakonshme për shkak të masave të marra nga shumë qeveri botërore kundër virusit Korona.
Pashkët katolike i gjejnë në izolim edhe besimtarët në vend. Kisha katolike tashmë ka informuar besimtarët e saj se të gjitha tubimet dhe liturgjitë në një vend janë anuluar për shkak të infektimit të mundshëm. Për herë të parë pas më shumë se 100 viteve për Pashkët është i mbyllur Bazilika e Varrit të Shenjtë në Jerusalem.
Mesha e Pashkëve në kishën katolike në Shkup u mbajt pa praninë e besimtarëve, ndërsa episkopi i Shkupit dhe eparku i Strumicës- Shkupit, Kiro Stojanov, dërgoi urime për besimtarët të cilët i ftoi të mos heqin dorë nga shpresa dhe besimi te Zoti.
“Agjërimin e madh kishim mundësi ta ndjejmë se, edhe krahas arritjeve teknike, disi jemi të ekspozuar në rrezik dhe vuajtje, se në jetën tonë ka periudha të vështira kur nuk e vërejmë prezencën e Zotit. Në këso raste, lehtë mund të na ndodhë të ndjejmë frikë dhe pafuqi dhe të fillojnë të dyshojmë në afërsinë e Zotit. Por, edhe në këso rastesh të frikës dhe shqetësimit, nuk duhet të heqim dorë nga shpresa”,- u shpreh episkopi i Shkupit, Kiro Stojanov.
Edhe Papa Françesku për shkak të virusit Korona ka anuluar meshën tradicionale të së dielës së Pashkëve, një ngjarje që rëndom mbush Vatikanin me rreth 80,000 besimtarë katolikë. Kreu i kishës katolike kësaj radhe ka dhënë mesazhin e tij përmes platformave online.
“Mos kini frikë, mos iu dorëzoni frikës: ky është mesazh i shpresës. Po na adresohet ne sot”, ka thënë Papa.
Ai po ashtu u ka kërkuar njerëzve që të jenë “përcjellës të jetës në kohë të vdekjes”.
Autoritetet u kanë bërë thirrje besimtarëve në shumë shtete që të përdorin shërbimet e videove për të festuar Pashkët, duke paralajmëruar se virusi vdekjeprurës mund të shpërndahet nga ata që shkelin izolimin dhe distancimin fizik.
REJHANE BUSHI METAJ
