Maqedoni

Kërçovë, ora policore gjatë vikendit respektohet

12.04.2020 18:35

Banorët e Kërçovës kryesisht e kanë respektuar masën e kufizimit të lëvizjes gjatë orës policore në ditët e vikendit...

Për shkelje të kësaj mase, Policia e Kërçovës ka arrestuar dy persona, ndaj të cilëve do të ngrihet padi penale.

Për të respektuar masën e kufizimit të lëvizjes gjatë ditëve të fundjavës, qytetarët e Kërçovës, të premten i siguruan të gjitha artikujt e nevojshëm të konsumit të përgjithshëm, deri të hënën kur mbaron ora policore e masës qeveritare për ditët e vikendit.

Gjatë këtyre dy ditëve, rrugët e qytetit kanë qenë të zbrazëta. Janë vërejtur vetëm lëvizjet e makinave të ndihmës së shpejtë, atyre të policisë dhe qytetarëve me leje të posaçme.

Këto rrethana, Ndërmarrja Publike “Komunalec” i ka shfrytëzuar për të realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme, dezinfektimin e rrugëve të qytetit.

Gjatë këtyre dy ditëve, është vërejtur një angazhim i shtuar i vullnetarëve të Organizatës së Kryqit të Kuq në Kërçovë, të cilët u janë përgjigjur thirrjeve të personave të pamundur dhe atyre me moshë të thyer, të cilëve u kanë ofruar shërbimet e zakonshme të furnizimit me barna dhe artikuj ushqimor.

Kryesisht në Kërçovë, mbretëron një situatë stabile, thuhet në komunikatën e Sektorit për Punë të Brendshme në Ohër, e cila bën të ditur se gjatë natës së kaluar, dy qytetarë të Kërçovës, janë arrestuar për shkak se nuk kanë respektuar masën e kufizimit gjatë orës policore.

Sipas njoftimit të policisë, janë kontrolluar 25 personat me masën e vetë-izolimit, dhe është konstatuar se që të gjithë i kanë respektuar masat qeveritare kundër përhapjes së virusit Kovid-19.

SHABAN DALIPI