Botë
Zyrtari iranian: SHBA nuk mund të bllokojë huan e FMN-së prej 5 mld dollarë për të luftuar Covid-19
13.04.2020 12:56
Shtetet e Bashkuara nuk kanë të drejtë të vendosin veton ndaj masave të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN)....

Shtetet e Bashkuara nuk kanë të drejtë të vendosin veton ndaj masave të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), tha zëdhënësi i qeverisë iraniane Ali Rabiei në një konferencë shtypi ditën e sotme.
Kjo deklaratë vjen si përgjigje të kundërshtimit të SH.B.A.-së ndaj Iranit që të hynte në fondet e FMN për të luftuar koronavirusin.
"Amerika, ligjërisht, nuk është e autorizuar të parandalojë miratimin e ndonjë operacioni të organeve ndërkombëtare," tha Rabiei në TV shtetëror, duke shtuar, "Amerika nuk ka të drejtë të vërë veton ndaj masave të FMN-së. Ne kemi paguar për vite me radhë tarifat tona të anëtarësimit dhe kombi ynë ka të drejtë të marrë kredi mes presionit të sanksioneve amerikane dhe pandemisë koronavirus."
SH.B.A. vendosi veton: CNN raportoi të enjten e kaluar se SH.B.A. do të vinte veton ndaj çdo votimi në FMN për një kredi urgjente prej 5 miliardë dollarësh për Iranin për t'i ndihmuar ata të luftojnë pandeminë.
"Shteti kryesor që sponsorizon terrorizmin në botë po kërkon para për të financuar aventurizmin e tij jashtë vendit, e jo të blejë medikamente për iranianët," i tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit CNN.
Muajin e kaluar, Ministri i Jashtëm iranian Javad Zarif i bëri thirrje FMN-së që të akordojë një hua prej 50 miliardë dollarësh për të ndihmuar në luftimin e koronavirusit./Ora News.
