Gjysma e grave, viktima të dhunës familjare
Deri para 10 vitesh, dhuna në familje konsiderohej si një fenomen brenda familjes, ku shoqëria nuk mund tëpërzihej.......

Mentaliteti dhe turpi u pamundësonte, sidomos grave, të tregonin publikisht se ndaj tyre ushtrohet dhunë qoftë fizike por edhe psiqike.
Sipas statistikave, më tepër se gjysma e grave-viktima (58,3%) deklarojnë se edhe fëmijët kanë qenë prezent në dhunën që është ushtruar ndaj tyre dhe femrat shqiptare nuk janë imune nga kjo dhunë, por nuk janë të gatëshme ta paraqesin dhunën që ushtrohet ndaj tyre.
“Është këtu mënyra, tradita, paragjykimet dhe stereotipet se sa është femra shqiptare e gatshme që hapur të flasë për dhunën. Dhuna ka ekzistuar gjithmonë, por kohën e fundit ajo ka dalë jashtë suazave të shtëpisë dhe është bërë e dukshme. 85 % e viktimave të dhunës janë gra e vajza, 15 % janë fëmijët, të moshuarit, por edhe meshkujt”- deklaroi nënkryetarja e Iniciativës Qytetare të Femrave “ANTIKO”, Gynere Nebiu.
Përmes ndryshimeve të reja në Ligjin Kundër Dhunës në Familje, përveç zgjerimit të të drejtave dhe mbrojtjes së viktimave nga dhuna, parashihen edhe dënime për ushtruesit e dhunës. Por, sa janë efektive këto dënime?
“Dënimet nuk do të jenë shumë efektive nëse nuk marrin një aksion gjithpërfshirës, nëse ligji nuk zbatohet në të gjithë nivelet e shoqërisë”- tha NEBIU.
Por, fenomeni i dhunës në familje ende vazhdon, kjo si rrjedhojë e moszbatimit të ligjeve. Edhe më tej, në shumë raste, dhuna në familje, veçanërisht ajo mes bashkëshortëve, mbetet e padënuar edhe kundrejt një mori ligjesh, të cilat atë e trajtojnë si vepër penale. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)
