Maqedoni

Aleanca për Shqiptarët: 100% subvencionim i pagave për sektorët e goditur

13.04.2020 14:05

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se kushtet, që punëdhënësit duhet t’i plotësojnë për shfrytëzim të ndihmës shtetërore...

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se kushtet, që punëdhënësit duhet t’i plotësojnë për shfrytëzim të ndihmës shtetërore, të paraparë në masën 1 të paketës së dytë të Qeverisë për mbështetje të sektorit privat, në vend që të motivonin punëdhënësit të mbajnë  punëtorët në punë,  ka nxitur të kundërtën.
 
Çregjistrimi i punëtorëve nga puna i detyroi ata të shfrytëzojnë masën 4 të masave të të njëjtës paketë, një përshtatje me nenin 68 të Ligjit për punësim dhe sigurim në rast të papunësisë, që ju mundëson punëtorëve kompensim prej 50% të pagës mesatare, varësisht nga përvoja e punës, e kjo sipas ASH-së , në kushte krize dëmton punëtorët.  Prandaj, Aleanca për Shqiptarët apelon që të ndërhyhet në masën 1, edhe atë: Bizneseve të goditura nga kriza, në vend 50%, t’u mundësohet 100% subvencionimi i kontributeve të pagave në nivel të pagës minimale.
 
Bazuar në numrin e të punësuarve në veprimtaritë e goditura nga kriza si  hoteleri, turizëm dhe transport , që është 72 .743 të punësuar dhe kontributeve prej 107,6 euro për pagë minimale , për dy muaj nevojiten 15.6 milion euro. Pra  7.8 milion eurove t’u shtohen edhe 7.8 milion euro shtesë për të shtuar  100%   masën 1, e kjo do ti bënte më të pranueshme masat e qeverisë, duke kontribuar në mbajtjen e punëtorëve në punë thonë nga ASH.