Kumanovë, 11 raste të reja me “Covid 19”, mes tyre 2 mjekë
Edhe gjatë 24 orëve të fundit, në Kumanovë është regjistruar numri më i lartë i të prekurve....

Edhe gjatë 24 orëve të fundit, në Kumanovë është regjistruar numri më i lartë i të prekurve në vend nga COVID 19 , gjithsej 11.
Me këtë numri i të prekurve në total shkon në 211, nga të cilët tashmë 10 kanë ndërruar jetë, kurse në mesin e të prekurve janë edhe 2 raste të reja në mesin e personelit mjeksor duke e çuar numrin në total 48.
Për shkak të numrit gjithnjë e më të madh të personelit mjekësor të prekur, Shtabi komunal për mbrojtje dhe shpëtim, ka kërkuar nga Ministria e shëndetësisë dhe Komisioni për sëmundje infektive, që të bëjë vlerësimin urgjent për funksionalitetin e Spitalit të Kumanovës dhe të reparteve ku ka numër më të madh të personelit të prekur.
Gjatë karantinimit 61 orësh, qytetarët e Kumanovës por edhe ata të Likovës kryesisht e respektuan lëvizjen e kufizuar, përpos 8 qytetarëve, 6 nga Kumanova dhe 2 nga Kriva Pallanka, të cilët kanë shkelur këtë masë dhe janë arrestuar nga policia.
Ndaj tyre do të ndërmirren masa ligjore, konform rregullave mjekësore në kohë pandemie.
Familjet e rrezikuara sociale, ndahen 1145 pako për familjet në nevojë
Në këto ditë të vështira pandemie, një pjesë e qytetarëve të rajonit të Kumanovës, sidomos familjet e rrezikuara sociale po përballen edhe me vështirësi të sigurimit të kushteve më ekzistenciale, respektivisht artikujve ushqimor por edhe higjienikë.
Komuna e Kumanovës , në bashkëpunim me Kryqin e kuq të Kumanovës dhe ARM-së, deri tash kanë ndarë 1145 pako për familjet në nevojë. Në aktivitete të këtilla janë kyçur edhe shumë organizata e shoqata të tjera bamirëse të cilat gjithashtu kanë ndarë ndihma.
Mirëpo nga Komuna e Kumanovës thonë se ndihmat e këtilla për një Komunë me mbi 100 mijë banorë siç është Kumanova , nuk janë të mjaftueshem. Prandaj Komuna e Kumanovës ka kërkuar nga Ministria për punë dhe politikë sociale që të kyçet në sigurimin e ndihmave për familjet e rrezikuara sociale , të cilat në këto kohë pandemie kanë mbetur edhe pa kushtet më elementare për jetesë siç janë ushqimi dhe mjetet higjienike. (Fatlum Aqifi, TVM2)
