Investime të shumta në komunën e Gostivarit
Këto investime kanë ndikuar dukshëm në përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e këtij qyteti.....
Gjelbërimi i hapësirës përreth lumit Vardar, instalimi i sistemit të ndriçimit publik, riasfaltimi i pjesëve të ndërtuara të rrugës, ndërtimi i nënkalimit të automjeteve të rënda nën urën e hekurudhës, si dhe trotuari i ri në anën e rrugës që kufizohet me shtratin e lumit Vardar janë investimet e sivjetme, të cilat sot në prani të banorëve të fshatit Turçan i Vogël i përuroi kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.
Pasi që fshati kufizohet me shtratin e lumit Vardar, pas rregullimit të trotuarit, ndriçimit publik dhe gjelbërimit të hapësirave, kryetari Bejta tha se këto investime do të shërbejnë për shëtitje dhe rekreacion përreth lumit Vardar për banorët e fshatit dhe qytetarët e tjerë të Gostivarit.
“Në këtë vendbanim janë realizuar projekte të shumta. Është bërë riasfaltimi i pjesëve të dëmtuara të rrugës, është bërë gjelbërimi përreth shtratit të lumit Vardar, është ndërtuar trotuar i ri në njërën anë të rrugës dhe është bërë ndriçimi publik. Distanca e rrugës është mbi 500 metra gjatësi dhe ka kushtuar 2 milion e 800 mijë denarë”, deklaroi kryetari i Gostivarit, Nevzat Bejta.
Banorët e fshatit Turçan i Vogël shprehën mirënjohje për drejtuesit e Komunës së Gostivarit për investimet e realizuara.
Ata thanë se këto investime kanë ndikuar dukshëm në përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e këtij lokaliteti, që kufizohet me qytetin e Gostivarit. Me këto investime parashihet që të rritet edhe siguria e qarkullimit të nxënësve për në shkollat e qytetit. (Lulzim Haziri, TVM2)
