Kuvendi miratoi ligjin për liberalizimin e tregut energjetik
Liberalizimi i tërësishëm i tregut për energjetikë nuk do të ndodh në janar. Kuvendi miratoi Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Energjetikë, me të cilin parashihet që liberalizimi i tërësishëm i tregut energjetik të bëhet në pesë faza, duke filluar prej 1 korrikut të vitit 2016 dhe do të përfundojë më 1 korrik të vitit 2020.....

Sipas deputetëve të shumicës, tregu energjetik në Maqedoni është pjesërisht i liberalizuar dhe në këtë plan Maqedonia është lider, ndërsa pezullimi është në interes të konsumatorit.
“Besoni se kjo është e mirëseardhur për 600 mijë amvisëri, të cilët më 1 janar të vitit 2015, nëse do të marrin fatura më të mëdha për 20%, kjo do të ishte shumë për xhepin e tyre prej 300 eurove, ndërsa për qytetarët e Evropës me 1300 apo 2000 euro nuk është edhe aq shumë”- deklaroi Vlladanka Aviroviq nga VMRO-DPMNE.
Deputetja e opozitës, Sollza Grçeva, thotë se vendimi është në kundërshtim me normat evropiane dhe vërejtjet që Janez Kopaç nga Bashkësia Energjetike Evropiane ia parashtroi vendit.
“Nuk e di ç’farë ju shtyu që këtë ta përpunoni këto dy ditë. Ende s’ka dalë hija e Janez Kopaç nga ky kuvend kur flitej diçka tjetër. Dhe si e kuptuat tani se çmimi i rrymës me të vërtetë do të rritet aq shumë”- tha deputetja e pavarur, Sollza Grçeva.
Zëvendësministri i Ekonomisë, Hrisrijan Delev, sqaroi se qëllimi i ndryshimeve është mbrojtja e konsumatorit, pasi, sipas tij, po të ndodhte liberalizimi i tërësishëm më 1 janar të vitit 2015, çmimi i energjisë elektrike do të rritej së paku për 20%.
Ai theksoi se me liberalizimin e tregut ndryshon edhe formula e llogaritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe kjo mund të sjellë deri te shtrenjtimi i energjisë elektrike shumë më tepër se 20% i parashikuar. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
