Maqedoni
Vazhdimi i gjendjes së jashtëzakonshme, Pendarovski: Vendos Këshilli i Sigurisë të enjten
14.04.2020 12:22
Duke marrë parasysh situatën aktuale, presidenti Stevo Pendarovski....

Duke marrë parasysh situatën aktuale, presidenti Stevo Pendarovski, vlerëson se mund të shpallet gjendje e jashtëzakonshme e re 30-ditore. Vendimi pritet të merret të enjten në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, në ditën kur edhe përfundojnë 30 ditët e gjendjes së jashtëzakonshme që vlen aktualisht.
“Mundësitë janë të dukshme dhe të mëdha për të shpallur një gjendje të re të jashtëzakonshme 30 ditore, sepse kushtet e brendshme që nuk përshkallëzohen, por nuk zvogëlohen në mënyrë të konsiderueshme, sërish kërkojnë këtë lloj angazhimi nga të gjitha institucionet kompetente dhe këtë lloj situate. Nëse aktualisht i kemi këto informacione nga institucionet kompetente, nëse më pyetni sot për vendim, ai do të jetë në drejtim të shpalljes edhe 30 ditë të tjera.”,- deklaroi kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski.
Presidenti Pendarovski vizitoi njësitë e ARM-së në Tetovë të cilët janë përfshirë në detyra speciale në këtë situatë krize, si edhe shtabin lokal të krizës. Ai megjithatë nuk deshi të komentojë protestën e qytetarëve në Hasanbeg, të cilët shkelën orën policore. Potencoi vetëm se ka organe kompetente që duhet të përcaktojnë nëse do të ketë masa ndëshkuese dhe kompetencën e vetme për ruajtjen e rendit dhe qetësisë e ka MPB.
SEDAT SELIMI
