Rrezikohet zhdukja e zanateve të vjetra
Rrezikohet zhdukja e zanateve të vjetra.....

Përpunimi i opingave, papuçeve dhe zbukurimeve tjera nga materiali i lëkurës, si dhe zanatet e leshit dhe bojaxhinjve janë disa nga zanatet më karakteristike që me shumë vështirësi ende po figurojnë në Çarshinë e Vjetër.
Dëshmitë që këto zanate janë në zhdukje e sipër shfaqen derisa zanatçinjtë e vjetër po qajnë hallet e tyre pasi që gjeneratat e reja nuk tregojnë fare interes për të trashëguar veprimtarinë tradicionale të familjeve të tyre.
“Ne merremi me zanatin e babës si zanatçi i opingave dhe pandufkave. Baba na ka dhënë një copë zanati, e ne tash sa mos të rrimë kot po punojmë. Nuk është kushedi se ç’farë zanati, meqë me këqyrë të gjithë Maqedoninë a i ke apo si ke gjithsej 10 dyqane që merren me këtë zanat. Ky zanat tashmë është kah fundi, sepse të rinjtë nuk e kanë për qejfi zanatin, nuk ka më çirak të rinj, nuk gjinden”- u shpreh zanatçiu i opingave, Rexhep Bajrami.
Ndërkaq, bojaxhiu, Ekrem Neziri, shpjegon se edhe krahas faktit që ka mbetur i vetmi që ushtron zanatin e tij në Çarshinë e Vjetër, prapë se prapë përfitimet nga ky zanat si bojaxhi janë minimale.
“Ne merremi këtu me ngjyrosjen e tekstilit dhe funksionojmë si bojaxhi. Më parë kemi pasur shumë punë me harqe apo lesh, mirëpo tani leshi ka humbur dhe nuk është në përdorim. Këtë profesion e kam trashëguar nga babai im dhe unë prej në fëmijëri e kam mbjellë këtë zanat, duke punuar bashkë me të. Nuk është ajo punë që ka qenë më parë, mirëpo tani njeriu kur dashurohet në këtë zanat nuk mundet pa të”- tha bojaxhiu i tekstilit, Ekrem Neziri.
Të njëjtin fat e pret edhe zanati i lëkurës dhe leshit, meqë me përparimin e teknologjisë industriale, paralelisht humbet edhe përpunimi i prodhimeve të përpunuara me dorë.
“Këtu gjithçka që shihet është prodhim vendor dhe të gjitha janë të përpunuara me dorë, jo me makinë. Prodhimet tona janë duke filluar nga shalli, jaka, kapelat, xhupat dhe shumë prodhime tjera që kanë të bëjnë më së shumti me gjininë më të butë. T’u them hapur dhe sinqerisht, duke pasur parasysh përparimin e teknologjisë dhe industrisë, gjeneratat e reja nuk tregojnë aq interes për këtë zanat, pasi që ky zanat kërkon kohë dhe përkushtim të madh, ndërsa të ardhurat janë solide”- theksoi një përpunues i lëkurës dhe leshit.
Se sa do të vazhdojë kohëzgjatja e këtyre profesioneve mbetet një enigmë, përgjigjen e së cilës do ta rrëfejë koha. (Mensur Krasniqi, TVM2)
