Maqedoni
Strugë, nuk ka raste të reja me të infektuar, ndërruan jetë dy pacientë me Covid-19
14.04.2020 16:04
Dy persona kanë ndërruar jetë si pasojë e virusit Covid-19....

Bëhet fjalë për dy pacientë nga fshati Llabunishtë, të cilët kanë rezultuar pozitiv me virus dhe kanë qenë të shtruar në Klinikën Infektive në Shkup. Numri i viktimave të Covid-19 në Strugë ka shkuar në 8, ndërsa nuk janë regjistruar raste të reja me të infektuar, me ç’rast numri total i të infektuarve është 43, përfshirë edhe viktimat.
Ndërkohë, janë duke u bërë teste të qytetarëve të tjerë, ndërsa në spitalin e Strugës është edhe një epidemiologe që kontrollon situatën. Nga komuna e Strugës kanë bërë të ditur se për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, aksioni për dezinfektim dhe larje të rrugëve, hapësirave publike dhe institucioneve lokale do të vazhdojë. Gjithashtu ka vazhduar edhe aksioni për shpërndarjen e pakove ushqimore për familjet në nevojë, aksion të cilit i është bashkangjitur edhe shoqata bamirëse “Jetimët e Ballkanit”, Kryqi i Kuq - Strugë si dhe biznese dhe persona fizikë.
Ndërkohë, në Hotel “Drim” në Strugë, i cili shfrytëzohet si hapësirë për karantinë shtetërore, kanë arritur 180 qytetarë, të ardhur nga Italia. Qytetarët do të qëndrojnë në karantinën shtetërore për 21 ditë dhe do të furnizohen me ujë dhe ushqim. Nuk mungojnë edhe apelet nga komuna e Strugës dhe autoritetet shëndetësore, që qytetarët të shmangin daljet dhe të ruajnë distancën sociale, me qëllim parandalimin e rritjes së numrit të të infektuarve.
ILMIJE ZHAKU
