Maqedoni

Kumanovë, 2 të vdekur dhe 25 raste të reja me Covid-19, nga të cilët 2 infermierë

14.04.2020 16:18

Nga Kumanova vazhdojnë të arrijnë informacione shqetësuese sa i përket përhapjes së virusit COVID-19....

Nga Kumanova vazhdojnë të arrijnë informacione shqetësuese sa i përket përhapjes së virusit COVID-19. Në një konferencë për gazetarë, kreu i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit për fat të keq kemi dy viktima të reja të moshës nga 59 deri në 73 vjeçare, 25 raste të reja të prekur me COVID-19, duke e çuar numrin në total 236, e në mesin e tyre edhe dy infermierë, duke e çuar  në 50 numrin e personelit të prekur mjekësor.
 
Në vazhdim Dimitrievski nga Qeveria kërkoi që të aplikohen masa të karantinimit të tërësishëm 14 ditor të Kumanovës sipas shembullit të Dibrës.
 
“Masa e parë që e kërkojmë nga Qeveria është propozimi për karantinë të kontrolluar 14 ditore si dhe aplikimin e gjendjes së krizës në territorin e komunës së Kumanovës. Mbylljen e hyrje-daljeve në qytet. Lehtësime do të ketë vetëm për qytetarët, të cilët kryejnë veprimtari profesionale si dhe me leje speciale për lëvizje, por duke iu bërë dezinfektime të obligueshme gjatë hyrje-daljes në qytet. Kjo nënkupton shkuarjen e papenguar të të punësuarve në punë. I apelojmë Qeverisë që urgjentisht ta shqyrtojë kërkesën tonë dhe të sjellë masat sipas shembullit të Dibrës.”,- tha kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
 
Dimitrievski tha se gjendje shqetësuese paraqitet tek personeli mjekësor, në mesin e të cilëve janë madje 50 persona të infektuar, nga të cilët 44 në Spitalin e Përgjithshëm në Kumanovë.
 
“Dua të theksoj se në spitalin e Kumanovës kemi 44 të infektuar në mesin e personelit mjekësor, andaj vlerësojmë se Komisioni për Shëndetësi sa më shpejtë duhet të sjellë vendim për riorganizim të punës në Spitalin e Përgjithshëm në Kumanovë.”,- theksoi kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
 
Në fund i pari i komunës edhe njëherë u apeloi qytetarëve që për të mirën e të gjithëve t’u përmbahen rekomandimeve të autoriteteve shëndetësore.
 
FATLUM AQIFI