Skadoi afati për shlyerjen e borxheve

13.10.2014 17:49

Skadoi afati për parashtrimin e kërkesave për shlyerjen e borxheve. Në ditën e fundit, gati të gjitha qendrat sociale ishin të mbingarkuara me punë.....

Një pamje të tillë objektivi i kamerës e filmoi nëpër qendrat sociale në Komunën e Çairit, Aerodromit dhe Qendrës.  Këtu fluksi i njerëzve ishte më i madh se ditët e tjera. Radhë të gjata vëreheshin edhe jashtë dyerve të qendrave sociale.

“Sot, në Qendrën tonë Sociale në Komunën e Çairit është një numër tepër i madh i njerëzve, përafërsisht deri tani kemi 2 408 kërkesa, prej të cilave vetëm sot  janë diku rreth 60-70 qytetarë të ndihmës sociale”- u shpreh Nerges Muça nga Komuna  e Çairit. 

“Deri në orën 12, në qendrën tonë janë dorëzuar mbi 1.299 kërkesa, prej të cilave 888 kërkesa janë për rajonin e Aerodromit, ndërsa 411 kërkesa janë për rajonin Qendër”- tha udhëheqësja e Qendrës Sociale në Ajrodrom, Beti Joshevska.

Qytetarët e anketuar,  në të shumtën e rasteve aplikojnë për shlyerjen e borxheve të faturave të energjisë elektrike dhe ujit. Ata shpresojnë se me realizimin e këtij projekti do t’u jepet fund borxheve të tyre.

”Kam borxh ndaj “VIP”-it dhe ujësjellësit, që do me thënë se kemi shumë borxh që nuk mundemi ta paguajmë me një pension. Borxhi është 75 mijë denarë, a pensionin  e kam 6  mijë denarë deri para një viti, kurse tani e kam 8 mijë e 500 denarë”- u shpreh një qytetarë.

“I dorëzova sot, në ditën e fundit, për shkak se nuk e kam ditur që edhe unë i përkas kategorisë invalidore”- tha një qytetarë.  

“Të gjitha këto fatura janë të rrymës dhe janë të papaguara. Faturat e energjisë elektrike filluan të grumbullohen pasi i ndërruan numëruesit e rrymës”- theksoi një qytetare.

Përveç rasteve sociale, në këtë projekt për shlyerjen  e borxheve janë kyçur edhe personat e papunësuar më tepër se një vit, qytetarët të cilët kanë hasur në vështirësi financiare për shkak të invaliditetit ose sëmundjes së rëndë. Falje të borxheve ka edhe për kartelat kreditore, tejkalimin e llogarive të transaksionit dhe kredive për konsumim, ngrohjen  dhe për  taksën radio-difuzive.

Projekti qeveritar për shlyerjen e borxheve filloi më 18 gusht dhe sipas këtij projekti, shteti merr përsipër t’i shlyej faturat e papaguara më shumë se një vit për kategoritë e rrezikuara.

Të gjitha kërkesat e dorëzuara do të rishikohen nga ana e përfaqësuesve në    Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, ndërsa vendimet e para do të shqiptohen  nga 25 tetori. (Rexhep Qamili, TVM2)