Maqedoni

Tetovë, numri i të infektuarve me Covid-19 arriti në 38

14.04.2020 17:15

Me një rast të ri sot numri i të infektuarve me Covid-19 në komunën e Tetovës...

Me një rast të ri sot numri i të infektuarve me Covid-19 në komunën e Tetovës, së bashkë me komunat rurale, shkon në 38, ku katër prej tyre edhe kanë ndërruar jetë. Nga Shtabi i Krizës në Tetovë  kërkojnë nga Qeveria që t’ju dalë në ndihmë ndërmarrjeve publike komunale, pasi sipas Arifit këto ndërmarrje kanë vështirësi  financiare dhe kjo situatë u rëndon edhe më shumë punën e tyre dhe obligimet që kanë ndaj punëtorëve.
 
“Kërkojmë nga ju si përfaqësues, në këtë drejtim, që po ashtu të kemi një angazhim akoma më të madh për të mbështetur ndërmarrjet publike komunale, duke pasur parasysh faktin e ekspozimit të këtyre punëtorëve dhe gjendjes jo të lehtë ekonomike që kalojnë këto ndërmarrje dhe njëkohësisht mbështetjes së përgjithshme  institucionale tjera për sa i përket tejkalimit të problemit.”,- deklaroi kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
 
Shtabin e Krizës në Tetovë sot e vizitoi edhe i pari i vendit, Stevo Pendarovski, ku theksoi se kjo situatë nuk mund të zgjasë dy-tre vite, por sipas tij duhet të kemi pak durim të luftojmë bashkë të gjithë që sa më shpejtë të kthehemi jetës normalë në vend. 
 
Ndërkohë, orën policore në Tetovë e kanë shkelur vetëm dy persona, ndaj të cilëve është ngritur parashtresë adekuate sipas nenit 206 të Kodit Penal. Ndërsa në karantinë shtetërore janë 59 persona, kurse në vetizolim janë 136 persona nga Tetova.
 
VISAR SADIKI