Maqedoni

ASh: Mësimi online nuk po zhvillohet me rregull

14.04.2020 17:40

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar lidhur me mësimin online...

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar lidhur me mësimin online, i cili sipas kësaj partie nuk po ndiqet në mënyrë të rregullt.

“Ka më shumë se një muaj që mësimi nuk po ndiqet në mënyrë të rregullt për shkak të rrezikut nga virusi Korona në vend. Megjithëse Ministria e Arsimit premtoi shumë, si masë të vetme deri më tani është mësimi online, i cili nuk po rezulton i suksesshëm. E gjithë kjo për shkak të pamundësisë ekonomike dhe teknike që jo çdo nxënës mund ta realizojë!”,- thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.

Nga kjo parti po ashtu nënvizojnë se nxënësit të cilët për shkak të gjendjes sociale-ekonomike nuk janë në gjendje të ndjekin mësimin online, ata ende nuk janë pajisur me mjetet e premtuara.

“Edhe pse kërkesa e ministrisë gjeti përgjigje brenda 24 orëve, fatkeqësisht nxënësit ende nuk janë pajisur me mjetet që u janë premtuar dhe një numër i madh prej tyre ende nuk kanë ndjekur as edhe një orë mësim online. Aleanca për Shqiptarët kërkon zgjidhje të menjëhershme të rastit, sepse nuk është koha për premtime boshe të BDI-së, praktika e të cilës nuk ka të ndalur as në gjendje të jashtëzakonshme. Para se të ndërmerren masa duhet të bëhet analiza se sa të aplikueshme janë në praktikë dhe sa realisht sjellin rezultate ato masa”,- thuhet në reagimin e ASh-së.