Maqedoni

Në RMV 6 viktima nga Covid-19, MSh: 54 raste të reja

14.04.2020 18:01

Gjashtë pacientë e kanë humbur betejën me Covid-19, 4 prej të cilëve ishin të hospitalizuar...

Gjashtë pacientë e kanë humbur betejën me Covid-19, 4 prej të cilëve ishin të hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup dhe janë mbi 60 vjeç, dy prej tyre nga Labunishta e Strugës dhe nga një nga Prilepi dhe Kumanova.

Në Spitalin “8 Shtatori” kanë vdekur dy persona, një pacient nga Velesi 67 vjeç dhe një pacient 59 vjeç nga Kumanova, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë. I pyetur pse viktimat në Maqedoninë e Veriut janë të rinj dhe shumica pa sëmundje paraprake, Filipçe doli me përgjigje:

“Kemi komunikim intensiv me të gjithë të përfshirët në trajtimin e këtyre pacientëve që kanë formë më të rëndë të sëmundjes, sëmundje e cila i sulmon jo vetëm mushkëritë, por të gjitha organet, e sulmon gjakun duke pamundësuar përçimin e oksigjenit dhe kështu vuajnë të gjitha organet dhe as mbështetja me aparat për frymëmarrje nuk mund t’i shpëtojë.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Në 24 orët e kaluara janë realizuar 710 teste. Prej tyre janë konfirmuar 54 raste të reja me Covid-19. Sipas qyteteve: Shkupi-13, Kumanova-25, Shtipi-1, Prilepi-10, Tetovë-1, Veles-2, Gostivari-1 dhe

Kërçovë-1. Sërish Kumanova ka numër më të madh të të infektuarve dhe ministri i shëndetësisë thotë se tani për tani nuk ka nevojë që të ndërmerren masa tjera shtesë.

“Nëse paraqitet nevoja me siguri do të diskutojmë edhe për masa tjera, por tani për tani nuk ka nevojë. Në Dibër u sollën ato masa kur nuk kishte masa tjera në vend. Tani marrë parasysh që atje nuk ka transport publik, e as transport ndërurban, me këto masë për kufizim të lëvizjes vlerësoj se ka hapësirë që situata të përcillet.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Sot janë regjistruar të shëruar gjithsej 42 pacientë, prej tyre 10 nga Kliinika Infektive dhe 32 pacientë që po mjekoheshin në shtëpi.

Ndërsa  numri i përgjithshëm i pacientëve të diagnostikuar me Covid-19 në vend është 908 persona.

SANIJE DURAKU