Interpoli zbuloi mashtrim ndërkombëtar me maska mjekësore në vlerë prej 2,4 milion euro
Zyrtarët e Interpolit, në operacionin e përbashkët me autoritetet në Gjermani, Irlandë dhe Holandë...

Zyrtarët e Interpolit, në operacionin e përbashkët me autoritetet në Gjermani, Irlandë dhe Holandë, kanë zbuluar skemë kriminale që përfshin shitjen e maskave për personelin mjekësor gjerman, me çka është realizuar përfitim prej rreth 2,4 milion euro.
Në skemën kriminale u përdorën posta elektronike të hakuara, mashtrim me abonime dhe pastrim parash. Dy persona u arrestuan gjatë operacionit.
Sipas Interpolit, zyrtarët gjermanë të shëndetësisë kërkuan maska mjekësore në mars dhe ranë në kontakt me kompaninë spanjolle nëpërmjet postës elektronike duke pretenduar se kishin 10 milion maska. Kompania nuk mund të dorëzonte maska deri në Gjermani dhe e orientoi Berlinin drejt furnizuesit nga Irlanda.
Me kompaninë irlandeze është arritur marrëveshje për të ofruar 1,5 milion maska, të cilat do të dërgoheshin nga Holanda me 52 kamionë me shoqërim policor.
Gjermania pagoi 1,5 milion euro, por kompania irlandeze pretendonte se nuk ka marrë shumën e plotë dhe kërkoi që edhe 880.000 euro të tjera t’i paguheshin furnizuesit në Holandë.
Megjithatë, edhe përskaj kësaj maskat nuk u dorëzuan në Gjermani. Në hetimin nga autoritetet holandeze u zbulua se 880.000 euro ishin paguar në llogari bankare britanike të lidhur me Nigerinë.
Dy persona arritën të bënin kopje nga posta elektronike e kompanisë holandeze dhe të transferonin paratë./mia
