Maqedoni

Krijohen deponi të egra në Kërçovë, këkrohet ndërhyrja e organeve kompetente

15.04.2020 13:19

Në mungesë të deponisë sanitare, Kërçova për një kohë të gjatë po përballet me problemin e mbeturinave të qytetit...

Në mungesë të deponisë sanitare, Kërçova për një kohë të gjatë po përballet me problemin e mbeturinave të qytetit, të cilat aktualisht po deponohen në hapësirat e gërmuara të Termocentralit të Osllomesë. Kryetari i komunës së Kërçovës Fatmir Dehari, vlerson se ndërmarrja “Komunalec” me kapacitetet që i ka në disponim, është njëra ndër firmat më serioze për shërbimet komunale dhe efikasitetin menaxhues me mbeturinat, edhe përkundër mungesës së deponisë sanitare, si një problem i kahmotshëm, me të cilin përballet jo vetëm Kërçova por edhe komunat tjera.
 
Por situatën e rëndon edhe krijimi i deponive të vogla nga persona të papërgjegjshëm, të cilët në një periudhë të krizës me virusin vdekjeprurës, në hapësirat rurale dhe përskaj rrugëve lokale dhe regjionale, hudhin mbeturina, materiale ndërtimore dhe gjësende të tjera, që shkaktojnë ndotje dhe rrezikojnë shëndetin e popullatës vendore. Dehari u bën thirrje qytetarëve që të jenë të ndërgjegjshëm, por edhe bashkëpunues në evitimin e kësaj dukurie negative. 
 
Megjithatë, në ndërprerjen e kësaj dukurie, kontributin për ngritjen e vetëdijes ekologjike duhet ta japë gjithësecili që dëshiron ambient të pastër jetësor. Por ndihmën e tyre në këtë drejtim, duhet ta japin edhe banorët vendorë, duke i paraqitur tek organet përkatëse, personat që shtresojnë hedhurina dhe materiale ndërtimore në mjediset tona.